Elbasan, miza e bardhë dëmton të mbjellat – Fermerët përballen me dëme nga përhapja e saj

Në Jagodinë dhe Muriqan të Elbasanit, fermerët po përballen me dëme të mëdha nga miza e bardhë. Ky insekt ka goditur mbi 10 hektarë tokë bujqësore, duke prekur domatet, specat, borzilokun, por edhe hurmat, pjeshkat dhe rrushin. Fermerët shprehen të shqetësuar, pasi një pjesë e madhe e të mbjellave është hedhur, ndërsa përdorimi i preparateve nuk ka dhënë rezultat dhe insekti po fiton terren çdo ditë.

“Na ka bërë dëme shumë”, u shpreh një fermer.

“Situata në fshatin e Jagodinës në lidhje me mizën e bardhë janë dëmtuar shumë perime”, tha një tjetër fermer.

Shefqet Baja, specialist në Sektorin e Ruajtjes së Bimëve në Elbasan, thotë se janë mbi 10 fermerë të prekur, ndërkohë një grup pune ka nisur verifikimin e dëmeve. Ai e lidh përhapjen e mizës me përdorimin pa kriter të pesticideve, që e kanë bërë insektin rezistent.

“Ne i rekomanduam se përveç përdorimit PMV që duhet të jetë minimal, duhet të bëhet lufta me kurthe me ferromone apo me rrjeta”, tha Baja.

Aktualisht, specialistët po përpiqen të izolojnë vatrat e dëmeve, për të mos lejuar përhapjen e fenomenit edhe në zona si Sulova dhe Dumrea.

/rtsh.al/