Tuesday , June 24 2025

Elbasan/ Mbyllet me sukses projekti “Terapia e Artit dhe Muzikës” për fëmijët me aftësi të veçanta

Në Elbasan u mbyll me sukses projekti “Terapia e Artit dhe Muzikës” për fëmijët me aftësi të kufizuara, një nismë e Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta. Ky projekt u realizua falë mbështetjes së GIZ, Nalas dhe Shoqatës Kombëtare të Bashkive.

Projekti synoi përmirësimin e mirëqenies emocionale dhe zhvillimin e aftësive sociale të fëmijëve përmes terapive alternative si arti dhe muzika. Gjatë zbatimit të tij, u trajnuan 23 profesionistë të fushës, 40 edukatorë dhe 10 të rinj nga Këshilli Rinor i Bashkisë Elbasan, të cilët tashmë janë të përgatitur të japin mbështetje të vazhdueshme në komunitet.

Në këtë projekt morën pjesë 20 fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët përfituan për 4 muaj terapi arti dhe muzike, duke krijuar hapësira të reja për zhvillimin e tyre personal dhe social.

Ky është një hap domethënës në drejtim të përfshirjes dhe integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën aktive të qytetit, duke e kthyer Elbasanin në një model pozitiv për gjithëpërfshirjen.