Prefekti i Qarkut mblodhi sot shtabin e Emergjencave Civile për situatën e krijuar nga Covid 19. Z. Malaj vlerësoi punën e bërë në të gjithë qarkun e Elbasanit duke u ndalur tek masat e marra kundër përhapjes së Covid 19, zbatimin e rregullave të distancimit social si dhe ndihmën e ofruar ndaj familjeve në nevojë.
Prefekti mori modelin e krijuar në tregun e Elbasanit, si një model që duhet ndjekur në çdo bashki, si një masë e marrë kundër përhapjes së virusit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit teksa bëri një përmbledhje të masave të marra deri tani kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me institucionet e tjera, pasi e vetme bashkia nuk mund t’ja dalë.
Z.Llatja vuri në dukje rregullat e përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave për familjet që përfitojnë pako ushqimore.
Këtu përfshihen: Familjet me ndihmë ekonomike që nuk kanë të ardhura të tjera;
Familjet e pastreha;
Familjet me ndihmë ekonomike që kanë më shumë se 5 anëtarë dhe më shumë se 3 anëtarë të familjes janë nën 18 vjeç.
Duke marrë parasysh nevojat dhe duke bërë verifikime konkrete në terren, Llatja tha se janë ndihmuar edhe familje të tjera jashtë këtyre kategorive, por duke evituar përfitimet e padrejta.
Nga ana e drejtorisë së shëndetit publik u bë një raportim i situatës, ku fatmirësisht të gjitha rastet e analizuara nga fasoneria janë negative ndërsa do të vazhdojë gjurmimi i kontakteve.