Një përfaqësi e mbretërorëve të Elbasanit, me rastin e 96 vjetorit të shpalljes së Mbretërisë Shqiptare (1928 – 1 shtator – 2024) organizuan një takim pune, ku kishin ftuar bashkëkryetarët e LZHK-s, zotërinjt Dashamir Shehin dhe Ekrem Spahiun.
Në fjalën e tij z. Spahiu pasi falenderoi organizatoret, ndër të tjera tha:
“Mbretëria nuk është thjesht një regjim politik, por një etapë që homogjenizon shoqërinë, një mburojë e përbashkët kombëtare, të cilën e kanë kaluar pothuajse të gjitha shtetet moderne. Rreth dy dhjetëvjeçarë pas themelimit të shtetit shqiptar, Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit dhe shqiptarët ishin i vetmi komb që nuk e kishin këtë mburojë, ndërkohë që të gjitha shtetet dhe kombet e tjerë në këtë rajon, e kishin formësuar njësinë politike përkatëse pikërisht nga mbretëritë e tyre”. Për të vazhduar; “Shteti shqiptar, në kuadrin e rishikimit të historisë, duhet ta shpallë dhe ta kremtojë 1 Shtatorin si një nga ditët e shënuara shtetërore. Një Shtatori nuk është dita e një individi, familje apo një grupimi të caktuar, por një nga ditët e pakta jashtëzakonisht domethënëse për shtetin shqiptar, që nga themelimi i tij”.
Ndërsa z. Shehi tha: “Referenca më e mirë për të djathten shqiptare është Mbreti Zog dhe shteti që ai ndërtoi në dobi të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Mbreti Zog e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë u thirr ekspertiza më e mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike e shteteve perëndimore”.
Z. Shehi foli edhe për aktualitetin politik, ku LZHK po përgatitet për sesionin e ri parlamentar me synim në ngritjen e një grupi parlamentar me të paktën 7 deputetë si edhe përgatitjet për zgjedhjet e 2025. LZHK nga Elbasani ka paralajmëruar zhvillime të vrullshme politike për të sjellë ndryshime cilësore në të ardhmen e politikës shqiptare.