Elbasan/ Lirohet avokati Ulian Barjami, Dhoma Avokatisë vijon bojkotin e seancave gjyqësore, kërkojnë hetimin e prokurorit të çështjes

Dhoma e Avokatisë do të vijojë me bojkotin e seancave gjyqësore, pavarësisht lirimit të avokatit në Elbasan Ulian Barjami, i arrestuar pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Gazetarja Laureta Roshi ka bërë me dije për RTSH 24 se pak para lirimit të avokatit Barjami, Dhoma e Avokatisë ka kërkuar hetim mbi gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes.

“Dje në Gjykatën e Fierit janë zhvilluar vetëm seancat për masën e sigurisë. Dhoma e avokatisë e bëri me dije se nuk do paraqiten në seanca gjyqësore deri më 25 tetor. Lirimi i avokatit në Elbasan Ulian Barjami do pasohet me zhvillime të reja.

Edhe sot do vazhdohet me bojkot deri sa të ketë një qëndrim për zhvillime të tjera. Para lirimit të avokatit, ata kanë kërkuar hetim mbi gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes sepse nuk është prekur vetëm interesi i një avokati, por i qytetarëve nëse ne nuk reagojmë si duhet në mbrojtje të ligjit.

Mesa duket dje Ervis Hamataj, një prej anëtarëve të Kryesisë së Dhomës së Avokatisë në Fier, ritheksoi faktin se nuk u zhvilluan 50 seancat penale në gjykatën e fierit dhe seanca civile.

Kjo solli që dje në Gjykatën e Fierit janë marrë vendime vetëm për masat e sigurisë”, deklaroi Roshi.

Kujtojmë se Dhoma e Avokatisë nisi bojkotimin e të gjitha proceseve penale në vend, përfshirë hetimet dhe gjykimet në të gjitha shkallët, si dhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, për periudhën nga 20 tetor deri më 25 tetor 2025.

Vendimi erdhi si reagim ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami, një ngjarje që Komiteti e cilësoi si “tepër të rëndë”.

Avokati Ulian Barjami u arrestua dy ditë më parë pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Barjami u lirua nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, dy ditë pas arrestit.

/rtsh.al/