Elbasan, iu vendos gjobë kur lëvizte me makinë private, shoferi i prokurorit të SPAK kërcënon drejtuesin e policisë rrugore. AMP nis hetimet

Një incident ka ndodhur paraditen e të enjtes në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Postës” në qytetin e Elbasanit, ku është përfshirë Mateo Ademi, 25 vjeç, efektiv i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i prokurorit të SPAK, Alfred Shehu.

Ngjarja ka ndodhur në prani të dhjetëra qytetarëve ku Ademi ka debatuar dhe ka kërcënuar një nga drejtuesit e sektorit të qarkullimit rrugor në Elbasan, oficerin Besmir Likaj.

Sipas burimeve paraprake, konflikti ka nisur për shkak të një gjobe të vendosur më herët ndaj Ademit, i cili ishte ndaluar nga policia rrugore teksa udhëtonte me automjetin e tij privat.

Mësohet se gardisti ka reaguar me tone të ashpra dhe ka ushtruar presion ndaj oficerit të qarkullimit duke e kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Pas incidentit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar çdo element që mund të përbëjë shkelje disiplinore apo penale.

Burime pranë AMP-së bëjnë me dije se janë marrë dëshmitë e palëve të përfshira, ndërsa pritet të analizohen edhe pamjet filmike të zonës ku ndodhi përplasja verbale.

Ndërkohë, institucionet përkatëse janë vënë në dijeni për situatën, përfshirë edhe Garda e Republikës dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku Ademi shërben si shofer i prokurorit Shehu./ballkanweb