Elbasan/ Dhunuan babë e bir pasi i dhanë para me fajde, në pranga 2 të rinj

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Threat”, duke arrestuar dy të rinj që dyshohet se jepnin para me fajde dhe përdornin dhunë për të rikthyer paratë e dhëna me interes.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Në pranga ranë shtetasit P. G., 21 vjeç, dhe D. S., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan dhe me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.

Sipas hetimeve të deritanishme, të arrestuarit gjatë dy muajve të fundit kanë dhunuar dhe kanosur dy shtetas, baba e bir, për t’i detyruar të kthenin shumën e parave që P. G. dhe D. S. ua kishin dhënë me fajde.

Gjatë operacionit u sekuestruan një automjet dhe tre celularë, që dyshohet se janë përdorur në aktivitetin e paligjshëm.