Elbasan/ Bylykbashi: Mbrëmje magjike në Teatrin “Skampa” nën tingujt e harqeve

Mbrëmja e djeshme në Teatrin “Skampa” në Elbasan solli një udhëtim magjik përmes krijimtarisë muzikore, në kuadër të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve.

Një traditë e çmuar që promovon artin, kulturën dhe bashkëpunimin mes talenteve nga qytete të ndryshme të vendit.

Deputetja e Elbasanit, Aulona Bylykbashi, e pranishme në aktivitet, vlerësoi rolin e veçantë të këtij takimi në forcimin e lidhjes së të rinjve me artin:

“Ky eveniment është dëshmi e gjallë se Elbasani mbetet zemra kulturore e Shqipërisë. Muzika e harqeve nuk njeh kufij moshe apo qyteti — ajo na bashkon në ndjesi, pasion dhe krijimtari,” – u shpreh deputetja Bylykbashi.

Elbasani edhe këtë herë shkëlqeu si një qendër e artit dhe kulturës, ku muzika bashkoi breza e emocione, duke e kthyer Teatrin “Skampa” në një tempull të harmonisë dhe frymëzimit.