Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin A. Sh., 52 vjeç, banues në Xibrakë, pasi për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. Sh. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë (thikë).
Po nga këto shërbime filloi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 37 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin K. C.;
-A. S., banues në Elbasan, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u konstatua duke ndërtuar një objekt pa leje, në pronën e shtetasit G. B.;
-A. N., 51 vjeç dhe M. B., 42 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, gjatë ushtrimit të detyrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale