Një 35-vjeçar banues në Tiranë është arrestuar pasi bleu karburant me kartëmonedhë 100 euroshe false në fshatin Labinot të Elbasanit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur të mërkurën e 14 gushtit.
Autori me inicialet M. S., akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.
“Menjëherë pas kallëzimit të një punonjësi në një pikë karburanti në fshatin Labinot, se më datë 14.08.2024, një shtetas kishte paguar për furnizimin e automjetit të tij, me një kartëmonedhë 100 euroshe false, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare Elbasan ka organizuar punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale autorin”, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.