Për të dytin vit radhazi, të rinj të pasionuar pas pikturës dhe skulpturës, së bashku me artistë të afirmuar të qytetit të Elbasanit, kanë prezantuar krijimtarinë e tyre në një ekspozitë të hapur pranë Shtëpisë Etnografike.
Punimet përfshijnë piktura, skulptura dhe instalacione, duke tërhequr vëmendjen e artdashësve elbasanas, por edhe vizitorëve të huaj.
Drejtori i Qendrës së Artit, Kliti Kapaj, thotë se artistët e rinj kanë më shumë mundësi të afirmohen dhe njëkohësisht ata pasurojnë jetën kulturore të qytetit.
“Ekspozita është kthyer tashmë në një traditë të bukur për qytetin tonë. Ajo u jep të rinjve hapësirën e duhur për të shprehur talentin e tyre dhe për të bashkëpunuar me artistë të afirmuar. Ky bashkim energjish dhe krijimtarish jo vetëm që promovon artin e Elbasanit, por i jep edhe një vlerë të shtuar jetës kulturore të qytetit”, tha Kapaj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit shtator.