Humbja e Egnatias në ndeshjen hapëse në Shkodër ka lënë gjurmë të dukshme te skuadra dhe tifozët. Megjithëse bëhet fjalë vetëm për javën e parë dhe renditja e tabelës nuk ka asnjë vlerë reale, vendi i fundit nuk i shkon aspak për shtat një ekipi që ka ambicie dhe synime për të qëndruar në Superiore me sukses.
Fakti që skuadra për momentin është një kantier i hapur me shumë hyrje dalje, ka bërë që të kalohet më lehtë ajo humbje në start, për më tepër që për kampionët ka qenë një “film” i parë edhe më herët, duke ditur vështirësitë në start.
Gjithsesi, kjo humbje ka rritur presionin mbi trajnerin dhe lojtarët, duke bërë që fitorja në ndeshjen e ardhshme të duket si detyrë absolute. Për Egnatian, sfida kundër Elbasanit është një mundësi për të rikthyer moralin dhe për të provuar se rezultati i hapjes nuk pasqyron potencialin e vërtetë të skuadrës.
BILANCI ME ELBASANIN – Historia e përballjeve mes Egnatias dhe Elbasanit është ende e re dhe sapo ka nisur të shkruhet. Sezoni i kaluar shënoi katër takime, ku Egnatia arriti të fitojë dy herë, Elbasani një herë, ndërsa një ndeshje përfundoi në barazim.
Ky bilanc tregon se përballjet mes këtyre dy ekipeve janë të ngushta dhe çdo duel i ri mund të vendoset nga detajet më të vogla. Për Egnatian, kjo do të thotë se nuk ka vend për gabime në qasjen ndaj ndeshjes, ndërsa kombinimi i lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë në ekip mund të jetë çelësi për të marrë tre pikët e shumëpritura.
Shumë vëmendje do të përqendrohet tek sulmuesit që kanë aftësinë të shfrytëzojnë hapësirat e kundërshtarit dhe mesfushorët kreativë që mund të vendosin ritmin e lojës. Elbasani vjen ndoshta më i morivuar pas fitores në start me Flamurtarin dhe për faktin që nuk ka qenë një “kantier” i hapur, sepse lëvizjet kanë qenë të pakta dhe ekipi nuk ka ndryshuar shumë nga ai që i mundi në ndeshjen e fundit në Rrogozhinë.
DUEL PANKINASH – Përtej fushës, duelet në pankina premtojnë po aq emocione. Tetova dhe Gvozdenoviç, dy trajnerë relativisht të rinj, por me vite përvojë në drejtimin e ekipeve, përballen për të vendosur taktikat dhe ritmin e lojës. Historiku i tyre tregon një barazi totale: nga tetë përballje, secili ka regjistruar tre fitore, ndërsa dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Kjo tregon se ndeshja nuk do të vendoset vetëm nga lojtarët në fushë, por edhe nga zgjedhjet e trajnerëve, menaxhimi i minutave kritike dhe adaptimi ndaj situatave që lindin gjatë takimit. Sfida mes tyre mund të sjellë surpriza taktike, ndryshime të shpejta formacionesh dhe modifikime të strategjisë në varësi të zhvillimit të lojës, duke bërë që çdo moment të ketë rëndësi vendimtare për rezultatin final.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL