Në pushimin e shkurtër pas orës së parë, Rafaela doli të blinte diçka për të ngrenë së bashku me shoqen e saj të ngushtë. Sapo doli jashtë oborrit të shkollës pësoi një atak kardiak. Pak minuta më vonë ajo do të pësonte edhe një tjetër goditje që rezultoi fatale. Në xhepin e xhupit familjarët i gjetën 160 lekëshin që i kishin dhënë atë mëngjes për të blerë diçka për të ngrënë.
E mitura që nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje, u dërgua menjëherë në spitalin e Ersekës për ndihmën e pare. Mjekët e nisën menjëherë drejt spitalit të Korçës. Gjatë rrugës ajo pësoi një tjetër goditje. Edhe spitali i Korçës e nisi drejt QSUT-së, ku ndërroi jetë pasditen e datës 22 dhjetor. E ëma thotë se goditja ishte shumë e forte. E mitura nuk ishte e vetëdijshme për asjë moment gjatë atyre 72 orëve në gjendje kome.
Arjana Pinderi e ëma e të miturës, e cila e ka shoqëruar në autoambulancë, i ka të pakta fjalët për të rrëfyer ato momente tmerrri.
‘Nuk reagoi. Vetëm gjysëm syri ka hapur dhe një pikë loti’ u shpreh mamaja e 14-vjeçares
Dhimbja që la pas ikja e Rafaelës është e madhe. Ajo ëndërronte të bëhej mësuese. E dashuruar me shkollën dhe librat, në udhëtimin e përtejmë, familja i futi në arkëmort librin e gjuhës që ajo e donte aq shumë, së bashku me çantën e shkollës. Rrobat e saj ende qëndrojnë të stivosura, ndërsa familja e ka të vështirë të mësohet të jetojë pa të.
‘Këto ditë pa Rafaelën janë shumë ditë të trishtura’ u shpreh Arjana Pinderi, mamaja e 14 vjeçares.
‘Mua nuk më besohet, e kam plagë në shpirt kur shoh fotografitë them qysh më iku. Ishte mirë e bukur. Por na erdhi si e goditur se nuk e kishim të sëmurë, i ra direkt pa u ankuar asnjëherë. Sikur e goditi syri’ u shpreh gjyshja e Rafaela Pinderit.
Të mësuar që raste të tilla fatale të prekin moshat e rritura, Rafaela është vetëm njëri nga 4 rastet mes të miturve që ndërruan jetë nga ataku kardiak në qarkun e Korçës brenda një harku të shkurtër kohor. Një fenomen tronditës që po prek përherë e më shumë moshat e vogla.