Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në rrugët kombëtare të Qarkut të Elbasanit, duke sjellë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Ngjarja më e rëndë ka ndodhur në segmentin Xibrakë–Labinot Fushë, në aksin Elbasan–Librazhd, ku dy automjete janë përplasur me shpejtësi të lartë. Si pasojë e përplasjes, dy persona mbetën të plagosur rëndë dhe u transportuan me urgjencë në spital, por njëri prej tyre nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Ndërkohë, në Kthesat e Murrashit është shënuar një tjetër aksident, ku një automjet ka dalë nga rruga. Për fat të mirë, drejtuesi i mjetit ka shpëtuar pa lëndime serioze, por incidenti ka rikthyer vëmendjen tek problematikat e sigurisë rrugore në këtë zonë.
Dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara dhe kushtet e vështira atmosferike, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, kanë ndikuar në aksidentet e ndodhura. Hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal në drejtimin e automjeteve, veçanërisht në segmentet me kthesa dhe shikueshmëri të kufizuar, duke respektuar rregullat e qarkullimit dhe duke ulur shpejtësinë në kushtet e motit të keq.