Të gjithë drejtorët e Bashkisë Durrës kanë dhënë dorëheqjen, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama.
Të gjithë drejtorëve u është kërkuar dorëheqja dhe pas kësaj janë në dispozicion të komisionit të vlerësimit.
Dy postet që nuk preken janë drejtori i spitalit që u emërua në qershor dhe drejtori i policisë së qarkut.
Sipas informacioneve, kryebashkiakja Emiriana Sako u pati kërkuar që brenda ditës së djeshme të dorëzonin dorëheqjet dhe më pas do të vlerësohen nga komisioni për performancën e tyre në drejtim.
Procesi do të përfundojë brenda këtij muaji. Komisioni do të drejtohet nga Emiriana Sako dhe do të jenë edhe dy deputetët që kryesojnë listën fituese të PS në qark, Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi.
Pas Vlorës, dy ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të tensionuar dhe me tone të ashpra edhe në Bashkitë e Fierit dhe të Durrësit.
Kreu i qeverisë kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve që varen nga dy bashkitë, si dhe të drejtuesve të institucioneve që nuk kanë përmbushur detyrën.
Në takimin me kryeministrin Rama ishin drejtues institucionesh, drejtorë rajonalë dhe deputetët e qarqeve përkatëse. Fillimisht, Rama u ndal në Fier, ku sipas burimeve u foli drejtorëve me tone të ashpra për zaptimin e hapësirave publike, pastërtinë e qytetit, që sipas tij, lë shumë për të dëshiruar, dhe mosrespektimin e qytetarëve.
“Ata na kanë vlerësuar me votë, ndaj ky besim duhet përkthyer në respekt ndaj tyre”, ka thënë Rama para drejtorëve të Qarkut Fieri, që i dha 12 mandate deputetësh Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit. Mësohet se largimi i drejtorëve do të bëhet në grup dhe në varësi të performancës së tyre në punë.
Ndryshimet në administratë i paralajmëroi vetë kryeministri, teksa ishte rrugës për në Fier, ku theksoi nevojën për energji të reja dhe qasje më efektive ndaj sfidave urbane.
Kryeministri Edi Rama e nisi aksionin për hapësirat publike me Bashkinë e Vlorës, ku largoi 21 drejtorë dhe iu dha ultimatum bizneseve të heqin barrikadat nga trotuaret.