Do të duhej të ishte ndoshta më i mërzituri për mospjesëmarrjen e Elbasanit në Kupat e Europës, duke humbur në ndeshjen finale me Partizanin. Mirëpo, është ai që i jep zemër ekipit për atë që treguan një edicion më parë në debutim, duke parë gjithnjë nga e ardhmja.llupaBëhet fjalë për presidentin Kujtim Llupa, i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” flet për atë që lanë pas dhe objektivat e këtij viti. Ndoshta eksperienca ndikoi për të mos shkuar në Europë, por këtë sezon tregon hapur ambicien që kanë, ku nuk do të kursehen në merkato. Sa u përket transferimeve i ka lënë dorë të lirë drejtorit sportiv, por do të preferonte më shumë lojtarë vendës, edhe pse e pranon se në fund rëndësi ka të vijnë lojtarë cilësorë. Në fund, Llupa ka edhe një mesazh për tifozët elbasanas.
President, si do e përkufizoni sezonin që sapo lamë pas?
Personalisht e përkufizoj si një sezon të suksesshëm, duke menduar që vinim nga një kategori më poshtë. E kam thënë që në fillim se Superiorja është “tjetër muzikë” dhe ka tjetër angazhim. Mendoj që ekipi bëri mirë, me disa luhatje të cilat janë normale për çdo ekip në një kampionat të gjatë. Ndaj, në përgjithësi ekipi meriton fjalën pozitive për gjithë sezonin në tërësi.
Ku do të jetë më shumë e fokusuar merkato, brenda apo jashtë vendit?
Personalisht mua do të më pëlqente tregu vendas, sepse edhe e njohin më mirë futbollin tonë. Gjendja emocionale ndikon te lojtarët, fakti që janë afër familjes apo shtëpisë së tyre. Por, nuk e përjashtoj në mënyrë kategorike që do të shoh edhe tregun jashtë. Ideja është se varet ku do e gjejmë atë lojtarin që mund të na shërbejë dhe nuk bëhet fjalë më për thjesht dëshirë, por është edhe çështje mundësie.