Drejtoresha e Spitalit Rajonal Elbasan në bashkëbisedim me infermieret dhe drejtuesit e Poliklinikës së Specialiteteve

Në një atmosferë bashkëpunimi dhe frymëzimi, Drejtoresha e Spitalit Rajonal Elbasan, Prof. Asc. Dr. Zheni Gjergji, zhvilloi një takim të hapur me infermieret dhe drejtueset e Poliklinikës së Specialiteteve.

Takimi kishte në fokus diskutimin mbi sfidat e përditshme në shërbimin ndaj pacientëve, si dhe gjetjen e mënyrave më efikase për përmirësimin e organizimit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor.

Drejtoresha Gjergji vlerësoi rolin e grave në sistemin shëndetësor, duke i cilësuar si “zemra e shërbimit mjekësor” dhe një garanci e sigurisë për çdo pacient që kërkon ndihmë në Spitalin Rajonal Elbasan.

“Energjia, profesionalizmi dhe përkushtimi juaj janë forca jonë më e madhe. Faleminderit për çdo ditë pune, për çdo kujdes që jepni me zemër”, u shpreh drejtoresha gjatë bashkëbisedimit.

Ky takim u cilësua si një shembull i qasjes së re që po ndjek drejtoria e spitalit, ku dialogu dhe bashkëpunimi me stafet janë në qendër të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.