Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, pati kënaqësinë të priste në bashki Drejtoreshën e Misionit të USAID në Shqipëri, znj. Mischere Kawas. Gjatë këtij takimi, u diskutua për punën dhe prioritetet e Bashkisë Elbasan në zgjerimin e aksesit në arsim cilësor, fuqizimin e komuniteteve përmes njohurive dhe aftësive, si dhe mbështetjen e të rinjve dhe të rejave në qeverisjen lokale.
Bashkia Elbasan është përfituese e projektit “Transparency and Equality in Infrastructure Interventions in Schools,” i cili mbështetet nga USAID dhe zbatohet nga UNICEF. Ky projekt synon angazhimin e hershëm dhe vazhdimin e dialogut dhe llogaridhënies midis palëve të interesit në sistemin e edukimit, duke përfshirë prindër, mësues, drejtues shkollash, përfaqësues të bashkisë, zyrtarë dhe nxënës.
Në këtë takim, z. Llatja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e USAID, e cila ndikon në rritjen e demokracisë lokale përmes promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe angazhimit qytetar. Ai theksoi rëndësinë e përpjekjeve të USAID në nxitjen e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe forcimin e institucioneve demokratike.
“Mirënjohës për përpjekjet e USAID në nxitjen e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe forcimin e institucioneve demokratike,” u shpreh z. Llatja.