Nga Fatmir Popja
Sistemi shëndetësor i Qarkut të Elbasanit është pasuruar muajt e fundit me një tjetër profesionist të formuar sipas standardeve më të larta akademike dhe klinike. Dr. Arlind Kullolli, i sapoemëruar kirurg ortoped në Spitalin Rajonal të Elbasanit, përfaqëson modelin e mjekut të ri shqiptar të përgatitur, të përkushtuar dhe me një vizion bashkëkohor për mjekësinë publike.
Formimi i tij profesional është ndërtuar mbi themele të forta akademike në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, i vlerësuar ndër Top 3 studentët për performancë të shkëlqyer akademike, dhe është pasuruar më tej përmes shkëmbimeve ndërkombëtare Erasmus+, specializimeve dhe stazheve klinike në Francë, Rumani dhe Gjermani. Kulmi i këtij formimi u konsolidua gjatë specializimit në Ortopedi dhe Traumatologji në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ku Dr. Kullolli u përball çdo ditë me raste komplekse, urgjenca traumatike dhe ndërhyrje kirurgjikale që kërkonin vendimmarrje të shpejtë dhe precize.
Një etapë kyçe në karrierën e tij mbetet përvoja në GHNE Hôpital d’Orsay në Paris, si dhe përfshirja në programin kombëtar francez DFMS, ku ai u ekspozua ndaj protokolleve moderne europiane, teknologjive të avancuara dhe një qasjeje multidisiplinare në trajtimin ortopedik. Kjo përvojë ndërkombëtare i dha formimit të tij një dimension më të gjerë profesional dhe njerëzor.
Sot, rikthimi i tij për të shërbyer në Spitalin Rajonal Elbasan nuk është thjesht një hap profesional, por një zgjedhje me vlerë sociale dhe qytetare. Me fokus në traumatologji, fraktura, dëmtime sportive, patologji artikulare dhe sëmundje degenerative, Dr. Kullolli synon të ofrojë një shërbim ortopedik dinjitoz, të sigurt dhe të krahasueshëm me standardet më të mira rajonale.
Në këtë intervistë, ai ndan me “Albania Express News ” rrugëtimin e tij profesional, vizionin për shërbimin ortopedik në Elbasan dhe mesazhin e tij për pacientët dhe të rinjtë që ëndërrojnë një karrierë në mjekësi.

Dr.Kullolli, jeni një nga të rinjtë e shumtë që jeni pjesë e stafit të profesionistëve në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Çfarë përfaqëson për ju ky emërim?
Ky emërim përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por edhe një moment reflektimi personal. Pas një rruge të gjatë formimi në Tiranë dhe jashtë vendit, rikthimi për të shërbyer në Elbasan ka një domethënie të veçantë. Është një mundësi për të kontribuar realisht në përmirësimin e shëndetit muskuloskeletal të komunitetit dhe për të sjellë praktika bashkëkohore në një spital rajonal me rol kyç për Qarkun Elbasan.
Edhe pse mjaft i ri, rruga juaj profesionale është e pasur me përvoja ndërkombëtare. Sa e rëndësishme ka qenë kjo për formimin tuaj si kirurg ortoped?
Shumë e rëndësishme. Përvoja në Francë, veçanërisht në Paris, më ka ndihmuar të kuptoj rëndësinë e protokolleve të strukturuara, punës në ekip multidisiplinar dhe mjekësisë së bazuar në prova shkencore. Aty mësova se kirurgjia nuk është vetëm teknikë, por edhe filozofi pune, etikë dhe komunikim i vazhdueshëm me pacientin.
Cilat janë fushat ku ju ndiheni më i fokusuar në praktikën tuaj ortopedike?
Traumatologjia mbetet një nga fushat kryesore, veçanërisht trajtimi i frakturave dhe dëmtimeve komplekse të gjymtyrëve. Gjithashtu, kam interes të veçantë për patologjitë artikulare, dëmtimet sportive, artroskopinë dhe menaxhimin e sëmundjeve degenerative, sidomos tek pacientët e moshës së tretë.
Si e shihni aktualisht shërbimin ortopedik në nivel rajonal dhe çfarë synoni të përmirësoni?
Shërbimi ortopedik ka potencial të madh. Synimi im është të kontribuoj në përmirësimin e cilësisë së trajtimit, standardizimin e protokolleve dhe rritjen e komunikimit me pacientët. Edukimi i pacientit është thelbësor, sepse shërimi nuk ndodh vetëm në sallën e operacionit, por vazhdon gjatë rehabilitimit dhe kujdesit pasues.

Ju jeni angazhuar edhe në kërkim shkencor dhe aktivitete vullnetare. Sa e rëndësishme është kjo për një mjek?
Është thelbësore. Mjekësia nuk mund të ecë përpara pa kërkim shkencor dhe pa ndërgjegjësim shëndetësor. Aktivitetet vullnetare dhe fushatat sensibilizuese më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë nevojat reale të komunitetit dhe rëndësinë e parandalimit.
Çfarë mesazhi do t’u përcillnit pacientëve të Elbasanit?
Të kenë besim dhe të mos e neglizhojnë shëndetin e tyre muskuloskeletal. Trajtimi i hershëm dhe komunikimi i hapur me mjekun janë çelësi për një shërim të suksesshëm. Qëllimi im është të jem pranë tyre në çdo hap të këtij procesi.
Dhe një mesazh për të rinjtë që synojnë mjekësinë?
Të jenë këmbëngulës, të mos ndalen kurrë së mësuari dhe të ruajnë gjithmonë dimensionin njerëzor të profesionit. Mjekësia është sakrificë, por është edhe një nga profesionet më fisnike që ekzistojnë.
Përkushtimi ndaj pacientëve është shpesh elementi që bën diferencën. Si e përkufizoni ju marrëdhënien mjek–pacient?
Marrëdhënia mjek–pacient është themeli i çdo trajtimi të suksesshëm. Për mua, pacienti nuk është thjesht një diagnozë apo një rast klinik, por një individ me shqetësime, frikë dhe pritshmëri. Përkushtimi do të thotë ta dëgjosh me vëmendje, ta informosh qartë dhe ta shoqërosh gjatë gjithë procesit të shërimit, që nga momenti i diagnostikimit deri në rikthimin në jetën e përditshme.

Sa e rëndësishme është komunikimi dhe empatia në praktikën tuaj të përditshme?
Empatia është po aq e rëndësishme sa edhe aftësia teknike. Një fjalë e thënë në kohën e duhur, një shpjegim i thjeshtë dhe i sinqertë, krijojnë besim dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e trajtimit. Pacienti duhet të ndihet i sigurt se mjeku është realisht pranë tij.
Si e vlerësoni marrëdhënien dhe bashkëpunimin me kolegët në Spitalin Rajonal të Elbasanit?
Bashkëpunimi me kolegët është thelbësor për një shërbim cilësor. Në Spitalin Rajonal të Elbasanit kam gjetur një staf profesional dhe bashkëpunues. Respekti reciprok, konsultimi i ndërsjellë dhe puna në ekip janë elemente që rrisin sigurinë e pacientit dhe efikasitetin e trajtimit. Asnjë mjek nuk punon i vetëm.
Çfarë roli luajnë mjekët e rinj në modernizimin e sistemit shëndetësor shqiptar?
Mjekët e rinj sjellin energji, ide të reja dhe një mentalitet të hapur ndaj praktikave bashkëkohore. Ata janë ura lidhëse mes eksperiencës së brezave të vjetër dhe zhvillimeve të reja shkencore. Besoj fort se mjekët e rinj, të formuar brenda dhe jashtë vendit, janë një nga asetet më të rëndësishme për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri.
Në një kohë kur shumë profesionistë zgjedhin emigrimin, pse ju vendosët të qëndroni dhe të kontribuoni në Shqipëri?
Është një vendim i ndërgjegjshëm dhe personal. Shqipëria ka nevojë për profesionistë të rinj, të formuar dhe të motivuar. Unë besoj se ndryshimi fillon nga brenda. Qëndrimi dhe kontributi këtu janë mënyra ime për t’i kthyer shoqërisë investimin që ka bërë në formimin tim dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit kolegëve të rinj që ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre në vend?
Të mos humbasin besimin dhe pasionin për profesionin. Sfida ka, por edhe mundësi për të bërë diferencën. Me përkushtim, punë dhe integritet profesional, mjekët e rinj mund të jenë faktor real ndryshimi dhe shembull pozitiv për brezat që vijnë.
Duke qenë se jemi në fillimin e Vitit të Ri 2026, urimi juaj …
Me rastin e fillimit të Vitit të Ri 2026, uroj shëndet, paqe dhe mirësi për çdo familje shqiptare. Le të jetë ky vit një vit shprese, solidariteti dhe besimi në vlerat njerëzore. Për pacientët tanë, uroj shërim dhe forcë për të përballuar me kurajë çdo problem shëndetësor ,për kolegët, energji dhe sukses profesional ,ndërsa për të gjithë mjekët e rinj, guxim për të ndërtuar të ardhmen këtu, me dinjitet dhe përkushtim.”
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.