Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar vjen për Dr. Arben Ramkaj, kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar. Ai është nominuar zyrtarisht Ambasador dhe Përfaqësues nga Board of Trustees i BPUR International, një organizatë prestigjioze ndërkombëtare me seli në Mbretërinë e Bashkuar, e angazhuar në promovimin e paqes, dialogut ndërfetar dhe ndalimin e abuzimit politik të fesë.
BPUR International mbështetet nga një rrjet i gjerë sponsorësh dhe ligjvënësish evropianë, mes të cilëve figura të njohura si Giulio Terzi (Itali), Lukas Mandl (Parlamenti Evropian – Austri), Frank Heinrich (Gjermani), Mary Kelly Foy (Mbretëria e Bashkuar) dhe Ondrej Prostrednik (Republika Çeke), të angazhuar në nisma që synojnë forcimin e tolerancës, të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës paqësore.

Ky nominim vjen si vijimësi e një angazhimi të gjatë dhe të vlerësuar ndër vite të Dr. Ramkaj në fushën e dialogut ndërfetar. Ai ka marrë më herët vlerësime dhe mirënjohje për kontributin e tij akademik dhe qytetar, si dhe ka qenë pjesëmarrës dhe referues në forume, konferenca dhe platforma ndërkombëtare ku është diskutuar roli i fesë në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe kohezionit shoqëror, veçanërisht në Ballkan.
Nominimi si Ambasador i BPUR International konsiderohet një vlerësim i veçantë për figurën dhe punën e Dr. Arben Ramkaj, duke forcuar më tej profilin e tij ndërkombëtar dhe duke e kthyer Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar në një referencë të rëndësishme për nismat që promovojnë dialogun, mirëkuptimin dhe respektin mes komuniteteve fetare.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.