Domatet shqiptare me nivele të larta pesticidesh/ Arrestohet pronari i kompanisë dhe dy inspektorët e AKU

Pas kthimit pas nga Kroacia të tonelatave me domate, prokuroria e Beratit ka firmosur urdhër-arreste. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se nga operacioni u arrestuan tre persona.

Në pranga janë vënë Mariglen Qorri, pronari i këtij subjekti si dhe dy inspektorët për sigurinë ushqimore pranë AKU-së në Berat Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani. Analizat kanë treguar se domatet kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.

8 ton domate të eksportuara nga subjekti “Era-Fruit”, me administrator Mariglen Qorri, u kthyen mbrapsht nga Kroacia sepse pas analizave rezultuan me nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.

Sipas hetimeve, rezulton se Mariglen Qorri ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe këtë faturë e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë kështu përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.

Nga veprimet hetimore rezulton se kjo sasi domatesh e rrezikshme për shëndetin e njerëzve është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë Mariglen Qorri.

Gjithashtu nga veprimet hetimore rezulton se inspektoret e AKU Berat shtetasit Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani pas njoftimit nga sistemi Rasff kanë kryer inspektim me datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe gjatë këtij inspektimi nuk kanë konstatuar sasinë e domateve të gjendur në magazinën e subjektit duke plotësuar praktiken sikur në magazinë nuk kishte asnjë sasi domate.

Ata dyshohen se nuk kanë bërë bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt. Këta inspekto dyshohen se kanë marrë të mirëqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi Mariglen Qorri, të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmueshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar kështu faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.

Gjithashtu u sekuestruan dhe u morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara ne subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.

Për sa më sipër u bë ndalimi i shtetasve:

Mariglen Maliq Qorri, i datelindjes 06.01.1985, Pronar i subjektit “Era fruit” si i dyshuar per veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 288, 288/c dhe 186 te K.Penal.

Ronaldo Agim Lika, i ditëlindjes 07.08.1998, inspektor për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Griselda Genci Doksani, e datëlindjes 05.12.2000, inspektore për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Materialet proceduriale i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore./ Top Channel