Komuniteti rom dhe egjyptian në Elbasan u ngrit në protestë pasi kërkojnë ndihmë nga shteti. Ky komunitet është i vetëpunësuar dhe karantina ka hequr të gjitha mundësitë që ata të sigurojnë të ardhura për familjen.
Pa respektuar thirrjet e autoriteteve për të mbajtur distancë dhe pa përdorur masa mbrojtëse, të revoltuar të vegjël e të medhenj kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi sipas tyre janë pa ushqim dhe ilace.
”Nuk i kemi rënë më qafë Edi Ramës deri tani, kemi punuar vetë, por tani duam ndihmë. Edi Rama kthe sytë nga populli i varfër, ne punojmë me rrobe me kanaçe, punojmë sot hamë sot, ndaj duam ndihmë nga shteti”, shprehen disa prej protestuesve.
Sipas romëve nëse nuk ndërhyhet në kohë ata rrezikojnë të vdesin urie, pasi me punën e tyre siguronin mbijetesën e një dite. Të indinjuar ata shprehen se ka pasur diferencime në ndarjen e ndihmave, ndërsa deri tani nuk kanë mund të marrin as ndihmën ekonomike nga situata e krijuar nga koronavirus.
Protesta nuk pati prezencë nga forcat e policisë, ndërkohë që në Elbasan janë të shumta familjet që gjenden në kufinjtë e mbijetesës.
Deri tani pushteti lokal i ka ardhur në ndihme duke u dërguar ushqime në shtëpi personave që frekuentojnë qendrat sociale ditore, por nevojat në popullatë janë mën të mëdha.