Policia e Tiranës ka finalizuar dje 2 operacione duke goditur në këtë mënyrë 2 grupe kriminale që trafikonin kanabis sativa nga SHBA-ja dhe Tajlanda përmes postës. Për këtë arsye janë arrestuar 3 persona dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Dyshimet e efektivëve të policisë janë që lënda narkotike do të shitej në kryeqytet dhe në Elbasan. Operacioni i koduar “Destinacioni 1” vuri në pranga një 34-vjeçar, banues në Elbasan dhe shpalli në kërkim një tjetër. Ky grup e trafikonte drogën nga SHBA-ja përmes postës. Atyre iu sekuestruan 2.3 kilogramë kanabis me përqindje të lartë TCH-je, me vlerën 45 mijë Euro.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg kanabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale”, njoftoi policia. Më vonë u finalizua edhe operacioni “Destinacioni 2”. Nga ky grup u arrestuan dy adoleshentë 17 dhe 19 vjeç në Tiranë. Po ashtu u shpallën në kërkim dy 18-vjeçare. Ata e merrnin drogën me postë nga Tajlanda. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg kanabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale”, njoftoi policia. Hetuesit thonë se po vijojnë punën për dokumentin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale.