Friday , June 6 2025

“Do të ketë përforcime në skuadër”, Musta: Në debutim lamë gjurmë, këtë vit besoj se Europa do të arrihet

Elbasani i vitit të ardhshëm pritet të jetë edhe më i kompletuar. Jo vetëm sa i përket pjesës së kualiteteve, por edhe anës morale dhe eksperiencës që ka fituar, për ta vënë në shërbim të arritjes së objektivave.musta“Oreksi” sa vjen edhe shtohet, ndaj thjesht një performancë e mirë në kampionatin e ardhshëm nuk do të mjaftonte për t’i lënë të kënaqur. Megjithatë, më e rëndësishmja lidhet me faktin që verdheblutë këtë edicion kanë në skuadër një bosht që mund të mbështeten. Ndërhyrjet në merkato, që mesa duket nuk do të mungojnë, thjesht sa do t’i duhet të përforcojnë grupin dhe duke e futur në rangun e pretendentëve.

MUSTA – Njëri prej atyre që konsiderohet si pjesë e këtij boshti, është mbrojtësi Emiljano Musta. Me vetëm 24 ndeshje të luajtura, për shkak të një dëmtimi në javët e fundit, 33-vjeçari arriti të shënojë shtatë gola, po aq sa edhe sulmuesi Arsen Lleshi, golashënues të skuadrës. Në shifra është sezoni i tij më i mirë, kjo ndoshta edhe për shkak të stimulit që i jep skuadra e qytetit ku jeton. Në fjalën e tij për “Panorama Sport”, mbrojtësi pohon se synimi kryesor i vitit që lanë pas ishte marrja e eksperiencës, edhe pse ashtu si shkuan gjërat mund të kishin arritur më shumë.

“Në aspektin personal jam i kënaqur, ndonëse dëmtimet ndikuan jo pak, duke bërë që të mos isha në të gjitha ndeshjet. E rëndësishme për Elbasanin në këtë vit të parë në Superiore ishte marrja e eksperiencës si skuadër dhe harmonizimi i një grupi që premton shumë për vazhdimësinë. Tani që i kthehemi pas mund të bënim edhe më mirë, por personalisht dua të nis një sezon të ri pa “pengje” për atë që lamë pas. Ne e bëmë kampionatin tonë dhe e lamë gjurmën në debutim. Vitin e kaluar e ngjitëm edhe një shkallë, ku për pak arritëm Europën. Këtë vit besoj se kjo gjë do të arrihet, sepse me aq sa informacion kam, do të ketë përforcime në skuadër”, u shpreh fillimisht Emiljano Musta në fjalën e tij për gazetën.

E ARDHMJA – Mbrojtësi ka edhe një vit kontratë me Elbasanin, ku beson se do të bëjnë më mirë sezonin që vjen. “Ky klub ka ditur që t’i ngjisë shkallët një e nga një dhe shkoi deri këtu ku është. Vitin e kaluar e ngjitëm edhe një shkallë, ku për pak arritëm Europën. Këtë vit besoj se kjo gjë do të arrihet, sepse me aq sa informacion kam, do të ketë përforcime në skuadër.

Me një bosht pak a shumë të krijuar, është më e lehtë edhe për të formuar një skuadër që të pretendojë. Megjithatë, detyra jonë është të jemi të përulur dhe të punojmë fort dhe të mos nisim të mendojmë që tani se çfarë objektivash do të arrijmë”, vijoi më tej futbollisti i Elbasanit

TIFOZËT – Musta është nga ata që ka shëtitur në shumë skuadra dhe deri – diku ka qenë edhe i preferuari i tifozëve. Edhe në Elbasan ishte e njëjta situatë, me mbrojtësin që i sheh si një shtysë më shumë në ndeshje.

“Tifozët e Elbasanit kanë qenë një shtysë e madhe për ne që të arrinim rezultatet. Besoj dhe jam i bindur që kështu do të jetë edhe këtë sezon dhe me ta në krah ndeshjet do të na bëhen më të lehta për t’u fituar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën 33-vjeçari i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL