Tuesday , July 15 2025

“Do të jetë një kampionat i egër”, rrëfehet Gvozdenoviç: Cilësi kemi, na kanë ardhur edhe tre lojtarë në merkato

Pas fitores 4-0 në miqësoren ndaj ekipit të të rinjve të Elbasanit, trajneri Ivan Gvozdenoviç dha përshtypjet e tij mbi fazën përgatitore të skuadrës, ritmin e punës dhe pritshmëritë për sezonin e ri. Për teknikun serb, skuadra është në rrugën e duhur, por ende ka vend për përmirësime.

Gvozdenoviç u shpreh i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe faktin që grupi është i plotë dhe i pandryshuar në pjesën më të madhe, çka ndihmon në ndërtimin e automatizmave dhe ideve taktike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ndeshjeve miqësore që do të zhvillohen në fazën përgatitore në Greqi për të matur realisht potencialin e skuadrës.

Si ka qenë deri tani faza përgatitore? A jeni i kënaqur me ritmin dhe impenjimin e lojtarëve?

Jam i kënaqur pas dy javësh përgatitjeje dhe më vjen mirë që nuk kemi asnjë shqetësim te lojtarët. Ky test ishte si një stërvitje, sepse ishim edhe në mëngjes në fushë për të bërë një seancë të plotë. Dua të falënderoj edhe ekipin e të rinjve për gatishmërinë e treguar.

Djemtë treguan sërish përgjegjësi dhe përqendrim. Jam i kënaqur edhe me pjesën e sulmit, në shënimin e katër golave. Me pak fjalë, pas dy javësh përgatitje, mund të them se jemi në rrugën e duhur, edhe pse kemi ende kohë dhe shumë gjëra mbeten për t’u rregulluar.

Cilat janë aspektet ku mendoni se skuadra ka nevojë për përmirësim para startit të sezonit?

Si fillim, ne jemi një grup i plotë dhe kjo është shumë e rëndësishme për stafin. Cilësi kemi brenda grupit, na kanë ardhur edhe tre lojtarë në merkato, të cilët kanë nevojë për pak kohë. Të tjerët kanë kohë bashkë dhe kjo është shumë pozitive për ne, ndaj kam shumë besim. Ndoshta kemi nevojë për një ose dy lojtarë, por sërish kemi kohë deri në fund të gushtit. Kur të nisim fazën në Greqi, ku do të kemi ndeshje miqësore të forta, mund të flasim pak më shumë se në çfarë faze jemi dhe ku na duhen ndërhyrjet.

A do të ketë ndonjë ndryshim në stilin e lojës krahasuar me sezonin e kaluar?

Ndoshta. Tani është koha kur ne do t’i provojmë të gjitha. Në këtë ndeshje luajtëm me një skemë 4-2-3-1 dhe jo si vitin e kaluar me 4-3-3. Do të provojmë dhe më pas do të mendojmë mirë ku do të vazhdojmë.

Sa ndikon fakti që grupi është ruajtur thuajse i njëjtë në ndërtimin e automatizmave dhe ideve tuaja?

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse tani djemtë i kuptojnë gjërat shumë më shpejt, sepse u bënë gjashtë muaj bashkë. Kjo është pozitive për mua, për djemtë dhe ndoshta një avantazh i vogël nga fillimi.

Si e shihni konkurrencën në kampionat këtë sezon?

Konkurrenca është e fortë si gjithmonë. Presim një vit shumë interesant, shumë të fortë. Është Flamurtari me një motiv tjetër, ku rikthehet pas pesë vitesh në Superiore dhe do të investojë shumë. Teuta po ashtu, Egnatia është një ekip i fortë, Vllaznia, Partizani, Elbasani… Pra, do jetë kampionat i fortë, por jam i sigurt se me Elbasanin do të shkojë gjithçka mirë, duke pasur në krah edhe mbështetjen e tifozëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL