Elbasani për momentin po kalon një periudhë qetësie. Me mospjesëmarrjen në kupat e Europës, e ka më me nge punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, aty ku sigurisht di të synojnë që të jenë sërish pretendentë.
Çështja e parë që zgjidhën ishte ajo e trajnerit, me të cilin do të vijojnë bashkëpunimin edhe për një sezon. Mësohet se pas rikonfirmimit të Ivan Gvozdenoviç në pankinë, kanë nisur të shihen edhe alternativat e mundshme për përforcimin e skuadrës. Burimet pohojnë se ka pasur takime mes trajnerit, drejtorit dhe presidentit, ku janë diskutuar ata që do të largohen dhe dëshirat e serbit në afrime. Ajo që për momentin dihet, është se nuk bëhet fjalë për një revolucion në merkato, por thjesht afrime me cilësi që të përforcojnë ekipin.
PORTA – Pa shkuar ende tek emrat konkretë, faza e parë është ajo e zbulimit të roleve ku ka nevojë ekipi për përforcime. Mësohet se gjithçka do të nisë nga porta. Me largimin e Razak Abalorës, verdheblutë janë vënë në kërkim të një tjetër gardiani. Për momentin, elbasanasit kanë në katërkëndësh Klevi Totoshin, që mori frenat e portës pas dëmtimit të Abalorës dhe më pas largimit të tij përfundimtar. Paraqitjet e tij kanë qenë të mira dhe në nivel, ku u aktivizua në plot nëntë takime si titullar. Mirëpo, në klub janë të hapur në merkato për të afruar një portier tjetër dhe mbetet për t’u parë nëse do ta gjejnë.
FANTAZISTI – Roli tjetër që po kërkohet është ai i një mesfushori organizator, një numër “10” që për momentin mungon tek Elbasani. E vështirë për t’u gjetur një fantazist, sepse janë me “pikatore”, por duket se Elbasani i këtij sezoni dhe për t’u bërë pretendent e ka vërtet nevojë. Për këtë pozicion janë duke u menduar alternativa jashtë vendit.
SULMUESI – I vetmi që jep garanci për golat në sulm duket se është Arsen Lleshi dhe elbasanasit nuk duan të varen nga këmbët e një lojtari në një kampionat të gjatë. Gjetja e një bomberi është objektiv kryesor dhe emri i parë është ai i Armando Sadikut. Për momentin bëhet fjalë për një dëshirë, por e gjitha varet nga situata që do të ketë ish-lojtari i Kombëtares me ofertat jashtë vendit. Nëse Sadiku vendos të rikthehet në Shqipëri, praktikisht është një histori e mbyllur që do të jetë pjesë e Elbasanit. Nëse nuk do të shkohet dot deri tek ai, atëherë do të shihen alternativa të tjera në majën e sulmit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL