Djali i tyre u nda në mënyrë tragjike nga jeta, apeli i familjes së Serxhio Voglit për shtetin

NGA FAMILJA VOGLI

Qyteti i Durrësit të shtunën e datës 20 nëntor rreth orës 17:50 u bë dëshmitar i një ngjarje tepër të rëndë në lagjen Nr.1 rruga “Taulantia”, ku 19-vjecari Ervin Late, aksidentoi për vdekje me automjetin e tij shtetasin Serxhio Vogli 29-vjeç.

Lajmi u shpërnda me shpejtësi nga burimet  e Policisë së Shtetit se shtetasi Serxhio Vogli është jashtë rrezikut për jetën.

E frikshme ta mendosh se si luajnë me fatin e njerëzve, si Don Kishoti me mullinjtë e erës.

Për katër ditë me radhë i riu Serxho Vogli luftoji me vdekjen, por nuk ja doli, duke ndërruar jetë me datën 24 nëntor 2021.

Ky nëntor i zi i mori jetën duke lenë pas prindërit e vetmuar, motrën, bashkëshorten dhe femijen që kishte sjellë në jetë para katër muajsh.

Prindërit e Serxhos janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell nuk do qeshin më si më parë, jeten e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga nje djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim.

I ndjeri Serxhio ishte djalë i vetëm i familjes, i edukuar dhe shkolluar nga dy prindër të ndershëm që sakrifikuan për të gjithçka, duke i bërë krenar në të gjitha etapat e jetës.

Përcjellja për në banesën e fundit tregoj në heshtje, në respekt dhe në lot se kush ishte i riu Serxhio, i cili u percoll nga qindra të rinj e të reja dhe të gjithë grupmoshat e qytetit te Durrësit me dhimbje shumë të madhe dhe me mesazhe për jetën “Na lini të jetojmë”.

Iku jeta e një të riu në lulen e moshës, sapo kishte krijuar folenë e tij, iku shembulli ideal më i mirë që do ta kishte zili çdo prind, ju prenë ëndrrat që çdo ditë po i kthente në realitet.

Koha ikën shpejt dhe jeta vazhdon me ritmet e saj, disa kujtime nuk mund të harrohen dhe as të fshihen për të gjithë Ju miq, shok dashamirës që ishit pjesë, që nga momenti i aksidentit deri në banesën e fundit.

Ju do të qëndroni gjithmonë në mëndimet tona. Respekt dhe Mirënjohje për të gjithë Ju.

Edhe pse ndjenja e pikëllimit do të mbetet përjetësisht tek ne si prindër apeli ynë i drejtohet shtetit të së drejtës, duke pritur ndëshkimin sipas ligjit për këdo qe nuk zbaton ligjet në këtë vend për të shmangur një fatkeqësi tjetër.

Nga lindja e diellit deri në perëndim në çdo sekond do të jemi me kujtimet e tua.