Friday , June 13 2025

Ditët e nxehta te verës, mjekja apel qytetarëve: Mos dilni në orët e pikut! Kujdes të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna

Me ardhjen e verës edhe temperaturat shënojnë një rritje të konsiderueshme. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot përmes një mesazhi të Eugena Tominit, Drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, disa këshilla të vlefshme për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, ndërsa thekson faktin se fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatzëna apo të sëmurët me diagnoza kronike janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për goditje nga i nxehti, dehidratimi dhe probleme të tjera shëndetësore.

Drejtoresha e ISHP-së apelon që të eliminohen daljet në orët e pikut nga ora 11.00 deri në 18.00, si edhe të gjithë të sëmurët kronikë të ndjekin rekomandimit e mjekut të familjes dhe specialistit.

“Vishni rroba me ngjyrë të çelët, të pambukta dhe sa më lehtë. Pini ujë edhe nëse nuk kemi etje, sa më shumë lëngje gjatë kësaj stine. Evitoni sa më shumë daljet në orët e pikut.Nëse do duhet të parkoni makinën apo duhet të futeni në vende parkingu, nuk duhet t’i lini aty fëmijët e vegjël, si edhe moshën e rritur apo të tretë”, vijon Tomini.

Kujdes i shtuar duhet të tregohet edhe me ushqimet dhe zinxhirin e sigurisë ushqimore gjatë kësaj stine, ndërsa higjiena mbetet një tjetër faktor po kaq i rëndësishëm. Duhet të kemi kujdes për të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna, pasi kjo stinë sjellë edhe çrregullim të organizmit. Të kemi kujdes për veten dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin duke shijuar verën”, tha Tomini./Shqiptarja.com