Bilanci dhe situata e COVID-19 në vendin tonë vijon të jetë mjaft serioze, teksa për të dytën ditë me radhë në spitalin Infektiv në QSUT kanë ndërruar jetë 4 pacientë duke e çuar në 93 në total numrin e viķtimave nga fillimi i pandemisë. Viķtimat janë tre gra dhe një burrë, dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75 vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81 vjeçare nga Tirana.
Ministria e Shëndetësisë deklaron se situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve të sigurisë.
“Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19. Më shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik. Mos e uleni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës. Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlongje dhe në çdo ambient.
Stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19″ mbyllet apeli i Shëndetësisë.