Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk ka toleruar as braktisjen e fushës së lojës në shenjë proteste të Vorës pas penalltisë së akorduar në favor të Teutës në fund të ndeshjes së javës së kaluar në Superiore.
Në vendimet e mbledhjes së sotme, vorakët janë ndëshkuar me një gjobë të majme prej 100 mijë lekësh, ndërsa është pezulluar përsëri drejtori sportiv, Bazjon Tragaj, i cili është bërë i rregullt në vendimet e Disiplinës në sezonet e fundit.
Gjobë kishte edhe për Elbasanin, tifozët e të cilit me fishekzjarrë e fyerje sollën ndërprerjen e ndeshjes ndaj Dinamos. “AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes për shkak të ndezjes së mjeteve piroteknike si dhe duke përdorur kore fyese, në bazë të neneve 17/2/c dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë”- vendosi komisioni.
Për t’u vënë re ishte edhe vendimi i ndryshuar për Ilirinë, të cilët i është lejuar të kthehet të luajë në stadiumin e saj, por gjithmonë pa praninë e spektatorëve, me kusht që të mos përsëritë me gjeste të tilla antisportive.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.