Friday , June 20 2025

Dinamo, Vllaznia dhe Flamurtari, tri terset e Elbasanit

Pas një sezoni të kënaqshëm në Superiore në vitin debutues, Elbasani po përgatitet për një vit që të shkojë pse jo deri te trofetë.

Ndërsa drejtuesit dhe stafi teknik janë të angazhuar me ndërtimin e skuadrës dhe merkatoja ka nisur të marrë formë, një analizë e bilancit të ndeshjeve ndaj rivalëve të sezonit të ardhshëm të kampionatit është shumë domethënëse. Rezultatet e fundit tregojnë qartë se Elbasani ka ndërtuar bazat për të qenë një ekip konkurrues, por gjithashtu nxjerrin në pah sfidat që duhen kapërcyer për të garuar në nivelet më të larta. Bilanci është ndarë në tri grupe: ekipet ndaj të cilave Elbasani ka dominuar, ato me të cilat ka pasur baraspeshë dhe kundërshtarët që mbeten ende “peng” i fitores.

BILANCI POZITIV – Vora, Teuta dhe Bylisi janë tri skuadra, me të cilat Elbasani ka shfaqur forcë të plotë dhe ka ndërtuar një identitet fitues. Në këto përballje nuk regjistrohet asnjë humbje, ndërsa përqindja e fitoreve e kalon 50%, gjë që flet për qartësi taktike dhe besim në vete. Më konkretisht, ndaj Vorës në tri ndeshje kanë një bilanc prej 2 fitoresh, 1 barazim dhe asnjë humbjeje, me një përqindje fitoreje prej 66.7%. Të gjitha ndeshjet janë luajtur në Kategorinë e Parë, ndaj pritet me kuriozitet rivaliteti në elitë. Ndaj Teutës në 5 ndeshje kanë sigluar 3 fitore dhe 2 barazime, me 60% të fitoreve. Tri fitoret në pesë ndeshje e bëjnë Teutën një nga “klientët” më të qetë të Elbasanit. Ndaj Bylisit në 7 ndeshje kanë siguruar 4 fitore dhe 3 barazime, me 57.1% të ndeshjeve të fituara. Përballjet me ballshiotët kanë qenë thuajse perfekte.

BILANCI I BARASPESHUAR – Tirana, Partizani dhe Egnatia janë emra të mëdhenj në futbollin shqiptar dhe përballjet me ta kanë qenë me rezultate të përziera. Elbasani ka arritur të marrë pikë, por nuk ka arritur të ndërtojë dominim të qartë. Këto janë ndeshjet ku çdo detaj bën diferencën. Me Tiranën në 4 ndeshje kanë sigluar 1 fitore dhe 3 barazime, me 25% fitore, duke treguar se të paktën ndaj bardhebluve nuk munden. Me Partizanin në 4 ndeshje kanë një bilanc prej 1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, me 25% fitore. Elbasani ka treguar se mund të luajë sy më sy me një nga ekipet më të strukturuara në vend. Ndaj Egnatias në 4 ndeshje kanë siguruar 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, me 25% të fitoreve. Përballja me kampionët është gjithmonë një provë zjarri, por fitorja në një nga ndeshjet dhe barazimi janë shenja se Elbasani ka potencialin për t’i ndalur edhe më të mirët.

BILANCI NEGATIV – Dinamo, Vllaznia dhe Flamurtari janë tri skuadra, me të cilat Elbasani nuk ka gjetur ende çelësin për të marrë pikët e plota. Humbje të shpeshta, barazime që nuk kënaqin dhe një ecuri që kërkon ndryshim urgjent. Me Dinamon në 4 ndeshje kanë një bilanc prej 1 barazimi dhe 3 humbje, duke qenë ndryshe edhe si “macja e zezë” sezonin e kaluar për verdheblutë. Ndaj Vllaznisë në 6 ndeshje kanë 4 barazime dhe 2 humbje, ku dy barazimet ishin në kupë, me shkodranët që i eliminuan me penallti. Katër barazime tregojnë se Elbasani ka qenë pranë suksesit, por asnjëherë nuk e ka konkretizuar. Ky është një “mur psikologjik” që duhet thyer. Ndaj Flamurtarit janë ndeshur 3 herë në të Parën, me bilanc prej 2 barazimesh dhe 1 humbje. Në Elbasan shpresojnë që në Superiore këtë sezon të jetë ndryshe.