NGA FATMIR POPJA
“Dinamo City” mbrëmjen e kësaj të Diele do të përballet në stadiumin “Elbasan Arena ” si ekipi pritës me “AF Elbasanin”. Ajo që bie në sy paraprakisht është fakti se kjo ndeshje do të futet në histori si ndeshja me biletat më të shtrenjta të kampionatit të elitës së futbollit shqiptar në një stadium jashtë Tirane.
Organizatorët e kësaj ndeshje janë “Blutë” nga kryeqyteti të cilët kanë nxjerrë në shitje biletat më të shtrenjta deri tani në Abissnet Superiore. Çmimet e biletave sipas publikimit që ka bërë klubi kryeqytetas janë rritur duke shkuar në 500 lekë në zonën e ultrasve, 700 lekë në tribunën ‘karshi’ dhe 1500 dhe 2000 lekë në tribunën kryesore. Gjithsesi shtrenjtimi i çmimit të biletës nuk besohet se do frenojë uraganin e tifozërisë “Verdh e Blu” për të mbështetur “AF Elbasanin” në përballjen me “Dinamo City”.