Në skena që rikthyen në kujtesë lëvizjen e jelekëverdhëve, protestuesit në Paris janë përleshur me policinë pasi qeveria franceze vendosi ta miratojë forcërisht reformën e pensioneve, duke anashkaluar votimin në parlament.
Turma njerëzish mbushën Place de la Concorde në përgjigje të vendimit për ta rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Plani i Emannuel Macron kishte ngjallur prej dy muajsh debate të zjarrta politike e greva masive. Por kur kryeministrja Élisabeth Borne përdori nenin 49:3 të Kushtetutës që lejon qeverinë të marrë vendim duke shmangur parlamentin, atëherë indinjata popullore shpërtheu sërish.
Vendimi i ekzekutivit u mor vetëm disa minuta përpara se ligjvënësit të votonin për projektligjin e polemizues, dhe nuk kishte asnjë garanci se qeveria do të mund të siguronte shumicën e votave të Asamblesë për nismën e saj. Kjo lëvizje shkaktoi tërbimin e politikanëve të opozitës, të cilët iu kthyen ashpër kryeministres e kënduan Marsejezën në sallën e parlamentit.
Liderja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen bëri thirrje për paraqitjen e një mocioni mosbesimi kundër qeverisë së Macronit, ndërsa kryetarja e partisë së majtë La France Insoumise (LFI), Mathilde Panot, shkroi në Twitter se presidenti e zhyti vendin në një krize qeveritare pa legjitimitet parlamentar apo popullor. Protesta pati edhe në qytete të tjera të Francës, ku tubuesit kanë vërshuar në rrugë duke kënduar himin kombëtar e duke valëvitur flamujt e sindikatave.
Top Channel