Diabeti, sëmundja që vret ngadalë po prek të rinjtë dhe fëmijët në Elbasan

Dikur diabeti konsiderohej një sëmundje për moshën mbi 50 vjeç, ndërsa në ditët e sotme kjo sëmundje nuk njeh më kufi moshe. Përhapja e tij në masë edhe tek moshat e reja është në shifra alarmante në Elbasan.

Sipas mjekëve mbi 50% e bartësve nuk e dinë që janë të prekur nga diabeti. Kjo sëmundje vret në heshtje edhe organet e tjera jetësore duke u kthyer në kërcënim për jetën e popullatës.

Nga 20-30 raste me diabet para viteve ’90, sot në Qarkun e Elbasanit numërohen deri në 600 të prekur. Të dhënat e mjekëve tregojnë një rritje të fortë të sëmundjes, ndërsa një pjesë e madhe e pacientëve nuk janë të diagnostikuar. Specialistët e shëndetit paralajmërojnë se diabeti po shfaqet gjithnjë e më herët dhe kërkojnë depistim të hershëm, sidomos tek grupet me risk të lartë.

Mjeku Endokrinolog, Shefqet Deliallisi shprehet se parashikohet që në vitin 2050 të ketë rreth 1 miliard e 300 milionë njerëz me diabet.

“Nga studimet që kemi bërë para viteve ’90 në Qarkun e Elbasanit, kemi pasur 20–30 raste me diabet, ndërsa sot ky numër ka shkuar në 400–500, madje deri në 600 raste. Kjo përbën një sfidë shumë të madhe shëndetësore, jo vetëm për Shqipërinë, por për shëndetësinë botërore.

Ekziston një paradoks lidhur me diabetin: ndërkohë që bëhen zbulime dhe krijohen ilaçe për trajtimin e tij, epidemia e diabetit po rritet me hapa të shpejtë. Parashikohet që në vitin 2050 të ketë rreth 1 miliard e 300 milionë njerëz me diabet”, tha ai.

Mjekët theksojnë se rreziku më i madh i diabetit nuk është vetëm vetë sëmundja, por komplikacionet që ajo shkakton në organet jetike. Një tjetër problem serioz mbetet diabeti i pa diagnostikuar, pasi shumë persona jetojnë me sëmundjen pa e ditur.

“Sëmundja e vërtetë e diabetit janë komplikacionet që ai shkakton në sy, zemër, tru dhe veshka. Janë sëmundje të rënda që jo vetëm shkurtojnë jetën, por krijojnë edhe invaliditet të lartë. Ky është një nga problemet më të mëdha shëndetësore të shekullit që po jetojmë. Problemi i parë është diabeti i pa diagnostikuar. Rreth 50% e personave me diabet nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje. Para disa vitesh kam depistuar rreth 2000 persona në Qarkun e Elbasanit dhe rezultoi se 70% e tyre nuk e dinin që ishin me diabet,” shtoi ai.

Mjekët ngrenë alarmin edhe për uljen e moshës së shfaqjes së diabetit, veçanërisht të tipit 2, i cili tashmë haset edhe tek të rinjtë. Sipas tyre, parandalimi duhet të nisë herët, përmes depistimit dhe edukimit shëndetësor.

“Mosha e shfaqjes së diabetit ka zbritur ndjeshëm. Sot diabeti i tipit 2 haset edhe tek 30-vjeçarët, ndërkohë që më parë konsiderohej sëmundje e moshës mbi 45 vjeç. Është shumë e rëndësishme që diabeti të kërkohet më herët, sidomos tek personat nën 40 vjeç dhe ata obezë,” theksoi mjeku.

Specialistët theksojnë se edukimi për aktivitetin fizik dhe ushqyerjen e shëndetshme, sidomos tek fëmijët, mbetet çelësi për frenimin e diabetit. Kapja në kohë dhe kontrolli i grupeve me risk të lartë konsiderohen thelbësore për të shmangur pasojat e rënda të sëmundjes.