10 aparatura respiratore i janë dhuruar Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Elbasan me financim të Shtetit të Kuvajtit. Aparaturat do të shpërndahen në 10 Qendra Shëndetësore, duke u ardhur në ndihmë 72 mijë personave. Në fjalën e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se vijojnë bashkëpunimet dhe financimet për ta çuar shëndetësinë në nivelet që qytetarët meritojnë.
“Krahas mbështetjes për ndërtimin e disa qendrave shëndetësore në të gjitha bashkitë e qarkut, vjen dhe kjo mbështetje me aparatura, të cilat janë kthyer në aparatura të domosdoshme në qendrat shëndetësore, të cilat ndihmojnë të sëmurët me COVID-19 dhe të sëmurët kronikë që kanë problematika të frymëmarrjes”, tha Balla.
Kjo, sipas tij, “do të na ndihmojë që ne në qendrat shëndetësore në njësitë administrative t’i kemi këto pajisje në dispozicion të çdo qytetari që e ka të domosdoshëm këtë shërbim”.
“Shpreh gjithë mirënjohjen për Emirin e Kuvajtit, qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme të Kuvajtit për garantimin e kësaj mbështetjeje”, deklaroi Balla.