Në prag të sfidës së javës së parë të Superiores mes Elbasanit dhe Flamurtarit, një prej figurave të njohura të futbollit verdheblu, Dhimitër Gjika, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku vlerëson kundërshtarin, nënvizon rëndësinë e startit të mbarë dhe kërkon mbështetje të pastër e të zjarrtë nga tifozeria elbasanase.
Ish-mbrojtësi, që ka qenë pjesë e një prej periudhave më të mira të klubit, thekson se rikthimi i vlonjatëve e bën kampionatin më të fortë dhe se kjo ndeshje do të kërkojë përqendrim maksimal.
“Flamurtari është një skuadër me emër dhe histori. Ata gjithmonë dinë të jenë të rrezikshëm, sidomos në fillim sezoni kur entuziazmi është i madh. Për këtë arsye, Elbasani nuk duhet të nënvlerësojë asnjë moment të lojës. Çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë”, shprehet fillimisht Gjika.
STARTI – Ai vlerëson edhe punën që është bërë në skuadër gjatë verës.
“Trajneri Gvozdenoviç ka sjellë një frymë pozitive dhe ka punuar për të krijuar një grup solid. Lojtarët e rinj kanë sjellë energji dhe ata me përvojë japin garanci. Është një kombinim që duhet të shfrytëzohet menjëherë, sidomos në ndeshjet e para që shpesh vendosin ritmin e gjithë kampionatit. Elbasani ka një grup lojtarësh që e njohin mirë peshën e fanellës dhe kanë dëshirën për të lënë gjurmë. Kam bindjen se në fushë do të shohim një skuadër të vendosur, të disiplinuar dhe me mentalitet fitues. Fillimi i mbarë është shumë i rëndësishëm, sepse i jep skuadrës vetëbesim për gjithë sezonin”, u shpreh më tej Dhimitër Gjika.
TIFOZËT – Për ish-futbollistin e njohur, tifozët mbeten një element vendimtar.
“Tifozeria elbasanase di ta bëjë stadiumin një fortinë. Dua t’i ftoj të jenë sa më të shumtë, të mbështesin skuadrën me gjithë forcën e tyre, por pa ofendime dhe pa sharje. Futbolli është festë dhe ne duhet të japim shembull se si përkrahet një ekip pa kaluar në provokime. Përballja me Flamurtarin duhet të jetë një spektakël sportiv, jo një fushë për tensione”, theksoi në vijim Gjika.
Ai nuk harron të sjellë në kujtesë edhe përvojën e tij personale, duke e krahasuar me periudhat e kaluara të klubit.
“Në kohën tonë, çdo ndeshje ishte betejë dhe stadiumi mbushej plot. Besoj se edhe sot, nëse Elbasani tregon lojë dhe karakter, njerëzit do të rikthehen masivisht për ta përkrahur. Ky qytet ka traditë futbolli dhe e meriton të shohë përsëri skuadrën në majat e kampionatit”, sqaroi ish-mbrojtësi i njohur.
OPTIMIZMI – Në fund, Dhimitër Gjika shprehu bindjen se verdheblutë do të bëjnë një paraqitje të denjë jo vetëm ndaj Flamurtarit, por përgjatë gjithë kampionatit. Sipas tij, ky është momenti për të treguar se Elbasani nuk është thjesht një skuadër që synon mbijetesën, por një ekip që mund të përballojë çdo kundërshtar në fushë të hapur.
“Jam optimist për këtë ndeshje dhe për gjithë sezonin. Ky Elbasan ka potencial, ka lojtarë që dinë të mbajnë përgjegjësi dhe mjafton të kenë besim te vetja. Me një grup të bashkuar dhe disiplinë të lartë, rezultatet nuk do të mungojnë”, theksoi ai. Gjika shtoi se suksesi nuk vjen rastësisht, por kërkon vazhdimësi dhe mbështetje të ndërsjellë mes skuadrës dhe tifozerisë.
“Me punë të palodhur, përkushtim në stërvitje dhe me tribuna që mbështesin fort pa krijuar tension, Elbasani mund të arrijë objektiva të rëndësishme. Futbolli është një lojë kolektive jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj dhe nëse qyteti qëndron pranë skuadrës, unë jam i bindur se verdheblutë do të na japin shumë kënaqësi këtë sezon”, përfundoi ish-mbrojtësi i njohur.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL