Dëshira e madhe e Gvozdenoviç, Elbasani nuk nxitohet. Kontaktohet dhe Fjoart Jonuzi

Elbasani do të përpiqet të forcohet sa të mundet në merkaton e janarit, në mënyrë që të vijojë të jetë konkurrues në kampionat, duke shpresuar të rikuperojë pikët në krahasim me rivalët që qëndrojnë mbi të në luftën për “Final 4”.

Pas largimeve të Ardit Hilës në mesfushë dhe Bruno Telushit në mbrojtje, së paku këta dy lojtarë duhet të zëvendësohen me patjetër, me të njëjtën cilësi ose më mirë. Në dimër nuk është e lehtë të gjesh futbollistë me potencial të lirë, por në Elbasan po hidhen tashmë në tavolinë emra të ndryshëm, që mund t’u bashkohen verdhebluve.

JONUZI – Emri i parë që po qarkullon është ai i Fjoart Jonuzit. Mesfushori thuajse e ka mbyllur me Tiranën, duke dalë lojtarë i lirë dhe në Elbasan kanë hedhur “grepat”. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se mes palëve ka pasur kontakte dhe mbetet për t’u parë nëse kuksiani do të bëhet lojtari më i ri i Elbasanit, ose jo.

Ai shihet si pasuesi ideal për momentin i Hilës, duke qenë se luajnë pak a shumë në të njëjtin rol. Për më tepër, Jonuzi e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Përshtatja do të jetë më e lehtë dhe në Elbasan nuk kanë kohë të presin, duhen rezultatet pozitive që në javët e para të vitit 2025. Vitin e fundit te bardheblutë ai ka luajtur në 17 takime, ndërsa sezonin e kaluar numëron 32 aktivizime. Më herët Jonuzi ka qenë për tri sezone pjesë e Vllaznisë, po tri sezone ka luajtur me Laçin dhe 4 sezone me Kukësin, të gjitha në elitën e futbollit shqiptar. Mesfushori 28-vjeçar ka provuar edhe një aventurë të shkurtër në Kosovë me skuadrën e Gjilanit.

QENDËRMBROJTËSI – Më e vështirë duket situata për të siguruar shërbimet e një qendërmbrojtësi potent, për vetë faktin se mungojnë për momentin alternativat. Në këtë aspekt mësohet se drejtuesit elbasanas po shohin pistat nga jashtë vendit, ku shpresojnë të gjejnë partnerin e kapitenit Bruno Lulaj.

Në këtë rol ka luajtur shpesh si i adaptuar mbrojtësi i majtë, Emiljano Musta, sidomos kur drejtimin e skuadrës e kishte Roberto Bordin, që preferonte një skemë me tre mbrojtës. Përveç Lulajt, një qendërmbrojtës klasik është edhe Harallamb Qaqi, por dy të tillë për të përballuar edhe një gjysmë sezoni janë pak, ndaj po kërkohet me çdo kusht që të arrihet tek një lojtar me këto karakteristika.

TË TJERËT – Sa i përket pjesës së sulmit, synimi kryesor është për një lojtar krahu në këtë repart që t’i bëjë mirë të dy krahët. Me skemën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, lojtarët ofensivë të krahëve vihen shumë në punë.

Bëhet fjalë për ditë intensive pune dhe në Elbasan po përpiqen t’i plotësojnë dëshirat trajnerit, duke i vënë në dispozicion një ekip sa më të kompletuar për të përballuar pjesën e mbetur të sezonin dhe për të arritur objektivat.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL