Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur aplikimet për kreditë studentore, një mekanizëm lehtësues që synon të mbështesë financiarisht studentët e arsimit të lartë në mbulimin e kostove të studimeve.
Ky program, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), u jep mundësi të rinjve të ndjekin studimet pa ndërprerje dhe pa pengesa ekonomike.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet janë të hapura deri më 5 nëntor 2025, dhe mund të kryhen online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për Kredi Studentore”.
Ky proces është i thjeshtë, transparent dhe pa pagesë, duke e bërë më të lehtë aksesin për çdo student që ka nevojë për mbështetje financiare.
Në lidhje me këtë nismë, Deputeti i Qarkut Elbasan, z. Adi Qosja, e vlerësoi programin si një hap të rëndësishëm drejt barazisë në arsim dhe përfshirjes sociale të të rinjve.
“Asnjë i ri nuk duhet të heqë dorë nga ëndrra për të studiuar, për shkak të pamundësive ekonomike. Kjo nismë e Ministrisë së Arsimit tregon përkushtim real ndaj studentëve dhe është një shembull se si shteti duhet të mbështesë çdo talent e çdo ambicie për dije. Ne duam që çdo i ri, pavarësisht prejardhjes apo mundësive financiare, të ketë shansin e barabartë për arsim cilësor,” – u shpreh deputeti Adi Qosja.

Deputeti shtoi se mbështetja ndaj të rinjve përmes mekanizmave të tillë është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore në tregun e punës.
“Investimi në arsim është investim në të ardhmen. Sa më shumë të rinj të arsimuar të kemi, aq më i fortë do të jetë komuniteti dhe vendi ynë,” – theksoi më tej Qosja.
Studentët që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar, ndërsa për më shumë informacion janë të ftuar të vizitojnë faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë në:
🔗 https://akfal.gov.al/sq/njoftime/2025/10/06/hapen-aplikimet-p%C3%ABr-kredi-studentore-tetor-2025/
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.