Policia në Elbasan ka vënë në pranga një 56-vjeçar. Ai mbante në shtëpi armë zjarri kallashnikov, granata, kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Pas denoncimit të saj, policia ka shkuar në banesën e të riut dhe ka zbuluar se babai i të riut kishte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse. 56-vjeçari është vënë në pranga, ndërsa 27-vjeçari është proceduar penalisht.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe reagim profesional e në kohë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët.
Si rezultat i inteligjencës së menjëhershme policore, finalizohet operacioni policor i koduar “Next”.
Posedonte në banesë armë zjarri kallashnikov, granata, kapsolla detonatore dhe municion luftarak, vihet në pranga 56-vjeçari.
Procedohet penalisht djali i tij, për dhunë në familje.
Menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetasje se ajo ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 27 vjeç, me të cilin ishin në proces divorci, Komisariati i Policisë Elbasan, bazuar në inteligjencës policore se babai i 27-vjeçarit posedonte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Next”.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, shtetasit B. Ç., në fshatin Qerret, njësia administrative Labinot Mal, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua poseduesi i armës së zjarrit dhe lëndëve plasëse, shtetasi B. Ç., 56 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 29 vjeç, djali i shtetasit B. Ç., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën janë në proces divorci.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.