Tuesday , March 11 2025

Dëmtohet kapiteni Lulaj, Elbasani pa 5 titullarë për ndeshjen e radhës

Elbasani i hoqi mundësinë vetes që t’i afrohej edhe më shumë Partizanit për vendin e katërt, teksa barazimi me Skënderbeun erdhi pikërisht në momentin kur nuk duhej.

Edhe pse i patën të gjitha episodet në favor, i kuqi i kundërshtarit dhe penalltia në favor që nuk u shfrytëzua, sërish Elbasani nuk shkoi më shumë se një pikë. Kështu, verdheblutë treguan edhe njëherë tjetër se e kanë shumë të vështirë që të krijojnë një vazhdimësi në rezultate gjatë këtij sezoni, duke i privuar për të qenë mes ekipeve pretendente. Megjithatë, me ende 24 pikë në lojë, shanset dhe besimi për “Final 4” mbetet ende i mundur.

DËMTOHET KAPITENI – Përpos faktit që Elbasani doli me vetëm një pikë nga ndeshja me Skënderbeun, lajmi i keq është dëmtimi i kapitenit Bruno Lulaj. 29- vjeçari luajti vetëm pjesën e parë dhe në të dytën u zëvendësua, sepse nuk donte të rrezikonte më shumë. Prej disa ndeshjesh mbrojtësi ka luajtur me “shpirt nëpër dhëmbë” për shkak të një shqetësimi në këmbë.

Duke parë rëndësinë e përballjeve, Lulajt i është kërkuar që të bëjë një sforco sa të mundet për ta pasur në fushë. Tani mbetet për t’u parë sesa e lartë do të jetë shkalla e dëmtimit apo mbrojtësi ka nevojë vetëm për një çlodhje dhe të rikthehet menjëherë në fushë. Gjithsesi, gjasat janë që ndaj Teutës ai të mos jetë në fushë. Deri më tani, ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm në prapavijën elbasanase, përveç rasteve kur ka munguar për arsye kartonësh dhe dëmtimesh.

ANTI TEUTA – Me durrsakët, Elbasani ka një bilanc pozitiv, duke i marrë shtatë pikë nga nëntë të mundshme. Nuk duhet harruar as kualifikimi përballë tyre për në çerekfinale të Kupës. Ndaj, me pak fjalë, “Djemtë e detit” janë “preja” e preferuar e Elbasanit këtë sezon, edhe pse në përballjen e radhës i pret një tjetër histori.

Në këtë ndeshje, verdheblutë nuk vijnë të plotë, me mungesat që po u bëhen makth dhe që mund të kenë një ndikim jo të vogël në këtë moment të kampionatit, ku çdo pikë është e rëndësishme dhe nuk ka më kohë për të rikuperuar nga hapat fals. Lleshi me Hasanin janë të sigurt që mungojnë, ndërsa ka dyshime të Lukilin dhe Ibrahimin, po për arsye dëmtimi. Pa llogaritur këtu kapitenin Lulaj, duke bërë që ndaj durrsakëve të jenë pa plot pesë titullarë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL