Dëmtimet frenojnë Elbasanin, shpresa te rikthimet për Kupën

Skuadra e Elbasanit po vijon normalisht fazën përgatitore, duke mos lejuar që pushimet e festave të ndikojnë në ritmin e punës. Vetëm dy ditë pushim janë konsideruar të mjaftueshme nga stafi teknik, ndërsa menjëherë pas tyre ekipi është rikthyer në fushë.

Seancat stërvitore po zhvillohen me intensitet dhe me ngarkesë të kontrolluar, në mënyrë që lojtarët të arrijnë formën optimale pa rrezikuar probleme të reja fizike. Trajneri Gvozdenoviç po i kushton rëndësi të veçantë aspektit mental, përveç atij fizik dhe taktik. Ai ka kërkuar nga futbollistët e tij impenjim maksimal në çdo seancë, duke theksuar se sezoni duhet të nisë me seriozitet dhe ambicie. Sipas teknikut, vetëm përmes punës së vazhdueshme dhe përqendrimit të plotë, Elbasani mund të ndërtojë një ecuri pozitive dhe të qëndrueshme.

STABILITET NË MERKATO – Në merkato, situata mbetet e qetë dhe pa lëvizje të theksuara. Drejtuesit e klubit po tregohen të kujdesshëm, duke mos nxituar në afrime apo largime. Besimi kryesor mbetet te grupi aktual i lojtarëve, të cilët njihen tashmë me kërkesat e stafit teknik dhe me filozofinë e lojës. Çdo ndërhyrje e mundshme do të bëhet vetëm nëse paraqitet ndonjë mundësi reale që përmirëson cilësinë e skuadrës.

HALLI I DËMTIMEVE – Për momentin, problemi kryesor mbeten dëmtimet e shumta, të cilat po kufizojnë alternativat e trajnerit. Në repartin e mbrojtjes, Bledar Lila dhe Bruno Lulaj janë duke u rikuperuar nga dëmtime që kërkojnë kohë dhe kujdes. Në mesin e fushës, Ibrahim Abasi, Xhonatan Lajthia dhe Kristi Qose po ndjekin programe individuale rikuperimi, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

Këto mungesa po e detyrojnë Gvozdenoviç të eksperimentojë në stërvitje, duke aktivizuar lojtarë të tjerë në role të ndryshme dhe duke testuar alternativa për të ruajtur balancat e skuadrës. Shpresa e madhe në kampin verdheblu është që të pesë futbollistët e dëmtuar të jenë të gatshëm deri më 10 janar, kur Elbasani do të luajë ndaj Flamurtarit në Kupë. Ky takim konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për ecurinë në kompeticion, por edhe si një provë reale për gjendjen fizike dhe organizative të skuadrës pas kësaj periudhe përgatitore.

Pavarësisht vështirësive, në ambientin e Elbasanit mbizotëron një optimizëm i kujdesshëm. Stafi teknik beson se puna e bërë gjatë këtyre ditëve do të japë rezultatet e saj, ndërsa rikthimi gradual i lojtarëve të dëmtuar pritet të rrisë konkurrencën brenda grupit. Synimi mbetet i qartë: një nisje e fortë e sezonit dhe paraqitje dinjitoze në çdo ndeshje, duke ndërtuar hap pas hapi një ekip solid dhe të besueshëm.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL