Wednesday , February 19 2025

Dëmtim i rëndë/ Elbasani humbet bomberin, Arsen Lleshi rrezikon sezonin

Elbasani nuk fiton prej pesë ndeshjesh radhazi mes kupës dhe kampionatit. Një situatë që në klub shpresojnë ta kalojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe për këtë arsye vetëm fitorja në Ballsh i jep një farë qetësie sa i përket klasifikimit. Gvozdenoviç është duke kryer seancat stërvitore dhe po përpiqet që t’i marrë maksimumin e mundshëm kontingjentit që ka në dispozicion. Përpos mungesave të Hakajt dhe Hasanit që janë në fazë rikuperimi, ajo që e ka penalizuar më shumë Elbasanin para ndeshjes me Bylisin dhe gjithë sfidat që kanë kaluar, ka qenë pikërisht dëmtimi i sulmuesit kryesor, Arsen Lleshi.

EFEKTI “LLESHI” – 2024 u mbyll me një fitore ndaj Skënderbeut dhe 2025 nisi mjaft mirë me atë dopio fitore ndaj Teutës, në kampionat dhe kupë. U duk një ogur i mirë për vazhdimësinë, por më pas skuadra nuk gjeti forca për ta vazhduar ashtu si duhet këtë ecuri që nisen. Problemet u evidentuan gjatë dhe pas ndeshjes me Dinamon, ku u mundën me rezultatin 3-1. Dhe, duket se gjithçka ka një arsye. Bëhet fjalë për Arsen Lleshin. Në tri fitoret e fundit radhazi, sulmuesi shënoi plot pesë gola, duke kapur formën e tij maksimale dhe qenë një garanci për Elbasanin në sulm. Mirëpo, ndaj Dinamos, një ndërhyrje në dëm të tij në minutat e para e nxori jashtë fushe dhe sot e kësaj dite vijon të jetë i dëmtuar. Praktikisht, ai ka munguar në pesë takimet e fundit dhe Elbasani ka shënuar vetëm katër gola në total, me një bilanc prej tre humbjesh dhe dy barazimesh. Pa të në fushë, verdheblutë hasin shumë vështirësi për të shënuar, edhe pse lojtarët e fazës ofensive nuk mungojnë. Si për ironi, ndaj Bylisit ku kërkohet kthesa, të dyja fitoret kanë ardhur pikërisht nga golat e 25- vjeçarit, por që kësaj here nuk do të jetë në fushë për verdheblutë.

HUMB SEZONIN – Ajo që i druhen më shumë verdheblutë është dëmtimi i rëndë që ka marrë Arsen Lleshi, i cili sipas të gjitha gjasave mund të ketë humbur edhe sezonin. Fillimisht u mendua për një dëmtim të rikuperueshëm brenda pak javësh, por nga analizat e fundit të kryera dyshohet për një këputje të ligamentit. Nëse edhe pas konsultave të fundit që po kryen lojtari nuk do të ketë ndryshim, atëherë do i duhet të bëhet operim. Kjo gjë nënkupton disa muaj jashtë fushave dhe pikërisht në momentin me vendimtar të sezonit klubi nuk do të ketë shërbimet e tij. Në 558 minuta që ka luajtur këtë sezon ai ka shënuar shtatë gola, çka përkthehet një gol për çdo 78 minuta lojë. Edhe pse ka luajtur kaq pak, vijon të jetë ende golashënuesi i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL