Elbasani u ndal në një barazim 1-1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës me Egnatian në Rrogozhinë, duke mbajtur të hapur kualifikimin, me ndeshjen e kthimit në Elbasan më 22 prill.
Sipas ishfutbollistit dhe trajnerit të njohur të Elbasanit, Luan Deliu, verdheblutë morën një barazim të merituar, duke ditur të reagonin pas golit të pësuar që në startin e sfidës. Në fjalën e tij për “Panorama Sport”, ai e sheh Elbasanin si finalist të këtij kompeticioni.
”Për mua ishte një barazim i merituar nga ana e Elbasanit. Pavarësisht se e pësoi golin shumë shpejt, diti të reagojë, të ndryshojë dhe të kthejë lojën në anën e saj dhe arriti të barazojë me meritë. Ashtu si shkoi loja, me ato raste, edhe mund ta fitonte ndeshjen. Megjithatë, Elbasani tregoi se ka vlerat e një ekipi që është pretendent për të qenë finalist në Kupën e Shqipërisë”, u shpreh fillimisht Luan Deliu.
TITULLI – Me atë që verdheblutë kanë treguar këtë edicion dhe me “Final 4” thuajse të siguruar, Deliu pohon se i ka të gjitha mundësitë të luftojë deri në fund për titullin kampion. ”Elbasani është një skuadër që ka besuar që në fillim të kampionatit. Po ta shohim, tre ekipet e kreut kanë qenë në garë që në fillim të kampionatit. Me ecurinë që ka pasur nga fillimi deri tani, mund të themi që Elbasani është pretendent për të dyja kompeticionet, kupën dhe kampionatin. Me 90% pothuajse është pjesë e ‘Final 4’ dhe me pak kujdes, përkushtim dhe fat, ne mund të jemi edhe kampionë. Unë kam bindjen të them se vitin që vjen do kemi kënaqësinë ta shohim në Europë”, vijoi më tej ish-futbollisti që u shpall kampion me Elbasanin në sezonin 1983-1984.
PARTIZANI – Në fund, Deliu ndalet tek përballja e së hënës me Partizanin në kampionat, ku beson se verdheblutë do të dalin me tri pikë.
”Është një ndeshje e fortë. Në kupë me Partizanin, Elbasani tregoi se edhe pse u mund në shtëpi, fitoi në transfertë dhe shkoi në gjysmëfinale. Kjo tregon se Elbasani nuk njeh më faktor fushe, por po tregon vlerat e një ekipi që kërkon të fitojë gjithnjë. Kjo falë një grupi të jashtëzakonshëm që kanë krijuar, falë një stafi që i udhëheq ata dhe falë drejtuesve të klubit, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme. Nuk është e lehtë të krijosh një skuadër që pas vetes ka një grup njerëzish, si tifozeria jonë që ka ndjeshmëri për ekipin. Ata dinë të reagojnë edhe pas humbjeve, si ndaj Dinamos, duke pasur edhe mungesa të mëdha nga dëmtimet. Kanë ditur të reflektojnë dhe të bëjnë gjëra të bukura. Me Partizanin do të jetë një ndeshje rivalësh, siç e kanë treguar vitet e fundit. Do të luhet fort, me të dyja ekipet që do të kërkojnë të përfitojnë dhe do të jetë e balancuar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Luan Deliu. Elbasani vjen në duelin me të kuqtë pas një humbjeje të thellë në kampionat me Dinamon në shifrat 4-1, ndaj do të kërkojë patjetër fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën për titull.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.