Elbasani i sezonit që sapo lamë pas, duket se ka lënë mbresa të mira tek ata që futbollin e njohin në të gjitha dimensionet e tij.fgfhjTë paktën, kështu shprehen ata që kanë dhënë kontribut ndër vite për këtë skuadër, të cilët duan ta shohin futbollin në qytetin e tyre sa më lart. Në këtë linjë është edhe ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Kujtim Dalipi. Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai pohon se nga edicioni i kaluar skuadra mori maksimumin e mundshëm, edhe pse ishin shumë pranë arritjes në “Final 4”. Ai thekson se viti që lamë pas, ishte një eksperiencë e mirë për një skuadër të sapongjitur.
“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe koshientë për atë që u prodhua sezonin që lamë pas. Të jesh konkurrues sapo ngjitesh në Superiore, është shumë e vështirë dhe nuk duhet të ngarkohet skuadra pse nuk u arrit ‘Final 4’. I gjithë ekipi ta konsiderojë si një eksperiencë pozitive dhe ta vërë në shërbim të sezonit të ardhshëm. Gjërat e mira arrihen pak e nga pak, ndaj personalisht e shoh pozitiv atë se çfarë prodhuan këtë sezon”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij një prej legjendave të futbollit elbasanas.