Autoritetet franceze janë në al arm pasi nuk po frenojnë dot ritmet e larta të zënies së shtretërve të terapisë intensive nga të infektuarit në gjendje të rëndë me Covid-19. Në vetëm 24 orë, 92 pacientë janë shtruar në pavijonet e kujdesit intensiv në spitalet e Francës, teksa deri 70% e këtyre vendeve janë të zënë nga të infektuarit me koronavirus, duke krijuar vështirësi të mëdha për kategoritë e tjera të pacientëve.
Dominimi i variantit britanik ka bërë që Franca të ketë shifrat më të larta të infektimeve ditore në Europë. Mediat shkruajnë se një mutacion i ri me origjinë nga rajoni veriperëndimor i Bretanjës, po përhapet me ritme të shpejta.
Ekspertët thonë se ky mutacion nuk mund të zbulohet nga testet PCR, çka e bën aktualisht të vështirë për t’u vënë nën kontroll, por ende nuk kanë të dhëna mbi specifikat nëse është apo jo më ngjitës se variantet më të hershme.