Elbasani ka shpallur zyrtarisht “non grata” gjyqtarin Kreshnik Cjapi, i cili arbitroi së fundmi përballjen mes Elbasanit dhe Teutës në “Elbasan Arena”, që u mbyll në barazim pa gola.
Një sfidë që solli polemika dhe ankesa nga klubi verdheblu, kryesisht për faulle në dëm të tyre, sepse rastet e pastra të diskutueshme munguan. Bashkuar edhe me rastin e javës së dytë në Rrogozhinë për një gol të anuluar nga penalltia, në Elbasan e shohin si të qëllimshme, ku dy ndeshjet e drejtuara nga gjyqtari i kolegjiumit të Fierit, i kanë sjellë edhe dy barazimet e vetme deri më tani, edhe pse vendi i parë ka mbetur i pacënuar.
PRETENDIMET – “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi i futbollit AF Elbasani ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për gjykimin e arbitrit Kreshnik Cjapi, pas dy ndeshjeve të fundit të kategorisë Superiore ku ky arbitër ka dhënë vendime që sipas klubit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultat dhe barazinë e garës. Sipas dokumentacionit të dorëzuar nga klubi, gjatë ndeshjes së zhvilluar kundër Teutës, Cjapi ka shfaqur një performancë nën nivelin e kërkuar për një takim të nivelit superior. Në harkun e 90 minutave, janë evidentuar të paktën 13 raste të gabimeve në dhënie ose mosdhënie faulli në dëm të AF Elbasanit. Por, problemi nuk kufizohet vetëm te kjo ndeshje. Në javën e dytë të kampionatit, gjatë ndeshjes Egnatia – AF Elbasani, Cjapi ka qenë sërish në qendër të polemikave. Në minutat e fundit të takimit, gjatë ekzekutimit të një penalltie, dy lojtarë (njëri nga Egnatia dhe tjetri nga AF Elbasani) hynë brenda zonës para se lojtari i Elbasanit të kryente goditjen. Portieri i Egnatias priti penalltinë, ndërsa lojtari i Elbasanit shënoi nga rikthimi i topit. Arbitri Cjapi anuloi golin, akordoi faull indirekt dhe nuk urdhëroi përsëritjen e penalltisë, në shkelje të hapur të rregullores ndërkombëtare të FIFA-s.
ANKESA E PLOTË – “Gjatë ndeshjes së zhvilluar mes AF Elbasanit dhe Teutës, kryesori Kreshnik Cjapi shfaqi një performancë nën nivelin e kërkuar për një ndeshje të kategorisë superiore. Në harkun e 90 minutave u evidentuan të paktën 13 raste të gabimeve në dhënie ose mosdhënie faulli në dëm të AF Elbasanit. Këto vendime ndikuan drejtpërdrejt në ritmin e lojës, ulën kohën efektive të ndeshjes dhe sollën menaxhim të dobët të situatave, çka në këtë nivel gjykohet si mungesë profesionaliteti. Vlen të theksohet se i njëjti arbitër ka pasur një episod të rëndë edhe në javën e dytë të kampionatit, gjatë ndeshjes Egnatia – AF Elbasani. Në minutat e fundit, në ekzekutimin e një goditjeje penalltie, dy lojtarë (njëri i Egnatias dhe tjetri i AF Elbasanit) hynë brenda zonës përpara se lojtari i Elbasanit të kryente goditjen. Portieri i Egnatias priti penalltinë, ndërsa lojtari i Elbasanit shënoi nga rikthimi. Arbitri Cjapi e anuloi golin duke akorduar faull indirekt dhe nuk urdhëroi përsëritjen e penalltisë, duke shkelur hapur Rregulloren e FIFA-s (Laës of the Game, Laë 14 – The Penalty Kick). Sipas nenit përkatës të Laë 14: Nëse pas ekzekutimit të penalltisë, një lojtar nga secila skuadër hyn në zonë përpara goditjes, arbitri duhet të urdhërojë përsëritjen e penalltisë, pavarësisht rezultatit të aksionit. Mosrespektimi i këtij rregulli në atë episod ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin dhe barazinë e garës. Duke marrë në konsideratë përsëritjen e gabimeve të tilla, veçanërisht në zbatim elementar të rregullores ndërkombëtare, lindin dyshime serioze mbi aftësinë profesionale dhe paanshmërinë e arbitrit në fjalë”.
SHKRESË FSHF – Klubi elbasanas ka reaguar pas ndeshjes me Egnatian, duke i dërguar një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë një sqarim mbi situatën, por atëherë pa kërkuar një dënim konkret për Cjapin. Të vetëdijshëm se rezultati i sfidës në Rrogozhinë nuk mund të ndryshohej, Elbasani pat kërkuar që episodi të marrë vëmendjen e duhur nga organet drejtuese të futbollit shqiptar. Klubi kërkoi transparencë dhe qartësi në interpretimin e rregullave, në mënyrë që të mos krijohen precedentë që cenojnë garën. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e verdhebluve shpresonin që ky rast të shërbente si shembull për përmirësimin e arbitrimit në ndeshjet e ardhshme. Në atë periudhë qëndrimi zyrtar i FSHF-së, duke iu referuar edhe rregullores për penalltitë, ishte se vendimi i kryesorit kishte qenë i drejtë.
PANORAMASPORT.AL