Cili është problemi?! 40 mijë automjete kanë ngelur në kolaudim, në 7 muajt e fundit

Plot 40 mijë automjete, nuk kanë kaluar testin e kolaudimit në 7 muajt e fundit, sipas të dhënave zyrtare. Gjithsej raportohet se janë testuar 167 mijë automjete dhe 24% e tyre, kanë dalë me probleme, Për drejtorinë e Transportit Rrugor, katër janë arsyet kryesore që çojnë në dështimin e kolaudimit.

Në vend të parë është sistemi i shkarkimit të gazrave me 38%, më pas vijnë mangësitë vizuale dhe funksionale, sistemi i frenimit dhe ai i drejtimit. Pavarësisht rinovimit të flotës së makinave që përdorin shqiptarët vitet e fundit, sërish mosha e vjetër e mjeteve si dhe cilësia e naftës mbetet arsyet kryesore pse makinat ngelin në testin teknik.

Kujtojmë se këtë vit, 4500 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar përgjithmonë. Kjo shifër është një tregues për mjetet që kanë dalë nga qarkullimi, të cilat janë rrezik aksidentesh dhe ndotje mjedisi.