Në Tiranë, aktualisht ka mbi 2000 persona të infektuar me Covid-19 dhe epidemiologët që bëjnë tamponin thonë se më shumë infektohen të rinjtë nëpër festa ditëlindjesh apo dhe ceremonitë mortore tani që kryhen me pjesëmarrje të madhe njerëzish, pa lënë pas supermarketet dhe ambientet e punës. Në një intervistë për Top Channel, mjeku epidemiolog Rexhep Muja, tha se “pjesa dërrmuese e këtyre levizjeve që janë të infektuara pozitivë vijnë kryesisht nga lëvizjet në supermarket që nuk respektojnë mirë masat antiCovid, qoftë në dasma, në ndodhi të ndryshme, vdeķje, fatkeqësi…”
Tirana vazhdon të jetë një prej vatrave më të nxehta të të infektuarëve të përditshëm, por sidomos disa zona të saj, të mbipopulluara, vazhdojnë të mbeten burime të nxehta infeksionesh, ku kryesisht infektohen të rinjtë, të cilët më pas përhapin virusin edhe te familjarët e tyre:
“Të rinjtë, në kafene, kur rrinë ngjeshur 3-4 veta, në gëzimet e tyre që kanë në shoqëri, ditëlindje. Rasti i infektuar i konfirmuar thotë “po, kam qenë në një festë, në një ditëlindje, kam qëndruar gjatë me shokët e mi. Më duket se njëri nga ata ka qenë i sëmurë me temperaturë…” – treon më tej epidemiologu Muja.
Cilat janë vatrat e nxehta në Tiranë?
“Vatrat kryesore në Tiranë vazhdon të mbizotërojnë Astiri, Ish-Blloku, Komuna e Parisit, Lapraka, Kinostudio, Kombinati, Kamza, Paskuqani, Dajti, Fresku – zona të mbipopulluara ku ka kryesisht vatra të nxehta infektimi…”
Mjekët vazhdojnë të këshillojnë përdorimin e maskës në ambientet e mbyllura, si edhe në vendet ku është e pamundur ruajtja e distancës fizike.