Pritej një ndeshje e luftuar dhe në “Elbasan Arena” dueli nuk zhgënjeu. Egnatia s’ia doli të kalojë në turin e dytë kualifikues të Champions League, duke u eliminuar nga Borac Banja Luka pas 120 minutave dhe penalltive.
Dueli në kohën e rregullt u mbyll 2-1 me fitoren e kampionëve të Shqipërisë, por për shkak se boshnjakët kishin fituar 1-0 në ndeshjen e parë dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-2, përballja shkoi në shtesën me 30 minuta. Edhe gjatë kësaj kohe nuk u shënua asnjë gol, ndërsa te Borac u treguan më të saktë nga penalltitë duke fituar 1-4.
Ndeshja / Me një numër të konsiderueshëm tifozësh në stadium, Egnatia e nisi mirë duelin duke shënuar pas vetëm 17 minutave me Ibrahimoglu, për të nisur festën e të pranishmëve. Vetëm 13 minuta zgjati avantazhi i rrogozhinasve, pasi Lukic barazoi rezultatin duke mos u ndalur dot nga mbrojtja vendase.
Pjesa e dytë ishte e luftuar dhe me disa raste të pastra shënimi, teksa goli që dërgoi ndeshjen në shtesë u shënua nga Doukou për Egnatian. Dyshja Hasa – Aleksi bënë mirë, me këtë të fundit që asistoi për golin që e dërgoi ndeshjen në shtesë.
Edhe 30 minutat e shtesës u mbyllën 2-1, me lojtarët që u drejtuan te pika e bardhë e penalltive. Aleksi dhe Lushkja gabuan te Egnatia, ndërsa miqtë nga Bosnja shënuan katër herë. Me rezultatin 1-4 nga penalltitë, Borac eliminon Egnatian dhe gjen PAOK-un e Selanikut në turin e dytë kualifikues të Champions League.
Nga ana tjetër kampionët e Shqipërisë do jenë pjesë e turit të dytë kualifikues në Conference League, ku kërkojnë të bëjnë mirë kundër Víkingur Reykjavík dhe të harrojnë këtë eliminim të hidhur.
Melih Ibrahimoglu – Fantazisti i Egnatias zhvilloi dje ndeshjen e fundit me rrogozhinasit, pasi klubi ka gjetur akordin dhe ai do jetë pjesë e Superligës së Turqisë me ekipin e Konyaspor, pjesë e së cilit është edhe Cikalleshi. Egnatia e afroi Ibrahimoglu vetëm në janarin e këtij viti, por cilësitë e treguara kanë bërë që turku të ketë fansa të tjerë, duke “mbushur arkat” e Egnatias.