Teksa njerëzit kanë kaluar më shumë se një muaj në karantinë dhe shumë kanë humbur vendet e punës, shpresa e vetme për një kthim të plotë në normalitet duket se është zbulimi i vaksinës. Megjithatë, në skenarin më të keq të mundshëm, ka gjasa që një vaksinë mund të mos zhvillohet. Çfarë ndodh atëherë? Në vend që të shpresojnë se koronavirusi do të zhduket, njerëzit duhet të mësohen të jetojnë me të. Qytetet duhet të hapen në mënyrë graduale dhe liria në një farë mënyre do të kthehet, gjithmonë duke pasur gati ”frenat e dorës”. Në shumë vende, nuk do ishte çudi që udhëzime për izolim të vinin menjëherë, pa paralajmërim.
Mos zhvillimi i vaksinës është diçka që ekspertët nuk e thonë, shumica prej tyre janë shprehur optimistë për zbulimin e saj. Në të shkuarën gjithsesi ka ndodhur që premtimet për vaksinat të mos mbahen. Disa thonë që do të duhet 1 vit deri në 18 muaj, të tjerët thonë se mund të jenë gati brenda vjeshtës. Ajo ku bien dakord është fakti që për momentin shoqëritë në të gjithë botën, duhet të jenë në një pozicion ku duhet mbrojnë veten gjatë gjithë kohës nga një kërcënim si koronavirusi. Të vazhdojnë jetën sociale dhe ekonomike, me virusin në mendje.
Për ekspertët dhe studiuesit vaksina është plani A, por duhet dhe një plan B. Fatmirësisht Covid-19 nuk zhvillohet si HIV apo viruse të tjera të rrezikshme, të cilat e bëjnë gati të pamundur zbulimin e një vaksine, megjithatë duhet të jemi gati për çdo gjë.
Si do të ishte jeta pa vaksinë?
Për David Nabarro, profesoi i Shëndetit Global në Londër dhe Keith Neal, profesor i Epidemiologjisë në Nottingham, jeta nuk do të ishte si tani, megjithatë realiteti nuk do të ndryshojë në kohë të shkrutër. Ata thonë për CNN se karantina nuk është një zgjidhje afatgjatë, sidomos ekonomikisht dhe politikisht. Qeveritë duhet të kalojnë ligje disi të çuditshme, që diktojnë një mënyre jetesë të re, por të sigurtë. Duhet të ketë një “kontratë të re sociale” mes njerëzve, për sjelljen e tyre, sidomos kur të kthehen në punë dhe të kenë simptoma të virusit. Vetë-izolimi duhet të jetë përgjegjësi personale e çdokujt.
Kolla ose simptomat e lehta të gripit nuk do të shihen më si diçka e vogël, ndërkohë që puna nga shtëpia duhet të bëhet normale, të paktën në disa ditë të javës kur është e mundur. Vështirësinë më të madhe do ta kenë shtetet e varfëra sipas tyre dhe duhen ndihmuar, jo vetëm financiarisht, por me rregulla apo ligje të reja emigrimi. Duhet të nisë një program i ri testimi dhe gjurmimi, që do të ishte baza e “luftës” për çdo shpërthim të ardhshëm të epidemisë. Sistemet shëndetësore duhet të bazohen te ky program që të jenë gati. Trajtimet për Covid-19, me medikamentet që tani kanë rezultuar të suksesshme do përfshihen në protokolle.
Eventet sportive mund të rikthehen, për sa kohë atletët testohen rregullisht, ndërkohë që tifozët mund të qëndrojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Goditjen më të madhe do ta marrin baret dhe lokalet sepse ka gjithnjë mbipopullim. Ndërkaq restorantet mund t’i zbatojnë shumë mirë masat e distancimit social. Çdo dimër do të jetë nevoja për një periudhë karantinimi, në qytete të ndryshme, një pjesë të ndonjë shteti, apo në të gjithë vendin. Shpërthimet e epidemisë do të jenë diçka që do të ndodhë. Profesorët thonë se është e vërtetë që virusi mund të luftohet dhe nga imuniteti i tufës, por mënyra për të fituar imunitet të plotë prej tij është vakisina. Pavarësisht përpjekjes shumë të mirë që po bëhet, shpesh puna për vaksina është e paparashikueshme. Megjithatë shpresat janë të larta që një të tillë do ta kemi për t’i dhënë fund një herë e mirë Covid-19. Deri atëherë duhet të jetë pjesë e realitet tonë. /News31.al